Aktuale
Kolegjiumi për prokurim informohet për reformat në prokurimin publik

Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bashkëpunim dhe mbështetje të projektit të USAID-Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM), organizoi forumin e radhës të Kolegjiumit për Prokurim në kuadër të koordinimit dhe zhvillimit të veprimtarisë me qëllim informimin e ndryshimeve të reja ligjore në funksion të reformave të reja në aplikimin e prokurimit elektronik.
Me këtë rast Sami Uka, anëtar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Kosovës (KRPP), njoftoi përpjekjet e vazhdueshme në reformimin e procesit të prokurimit, me theks të veçantë rritjen e transparencës, si dhe ndikimin në punën e mëtutjeshme të Komunës me qëllim që të sigurojë në mënyrën më efikase, transparente të shfrytëzimit të fondeve publike.
Edhe pse prokurimi elektronik nuk ka arritur të finalizohet në tërësi, kjo do të jetë vetëm deri në fund të këtij viti si një garanci për më shumë transparencë, më shumë oferta, më pak harxhime, dhe më pak kohë deri në përfundimin e procedurave të prokurimit si dhe kursim të parave të buxhetit.
Në këtë takim të Kolegjiumit për Prokurim, po ashtu nga Projekti USAID-Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM), është prezantuar MANUALI – Procedura e negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës sa i përket informimit për procedurat e nevojshme, aktivitetet kur mund të përdoren, avantazhet si dhe praktikat e mira në funksion të përmirësimit të procedurave të prokurimit publik.
