Aktuale
Klina nis procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje
Në Komunën e Klinës ka nisur nga kjo javë edhe zyrtarisht procesi për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Qytetarët e kësaj komune mund t’i marrin kërkesat për legalizim të ndërtimeve pa leje në sportelin e caktuar në objektin e Administratës Komunale.
“Pas përgatitjeve teknike të bëra nga ana e Komunës së Klinës lidhur me ofrimin e shërbimit sa më të duhur lidhur me procesin e legalizimit të objekteve apo shtëpive, Komuna e Klinës ka filluar edhe zyrtarisht pranimin e aplikimeve për legalizim të shtëpive dhe objekteve të tjera të ndërtuara pa leje”, tha drejtori i Urbanizimit, Lorenc Marleku.
Sipas tij, Ligji i legalizimit i trajton të gjitha ndërtimet si në qytete ashtu edhe në fshatra. Andaj, siç tha ai, Komuna e Klinës fton të gjithë qytetarët që të aplikojnë për legalizime të shtëpive dhe objekteve, pasi në këtë komunë është një numër goxha i madh i objekteve të ndërtuara pa leje, të cilëve tashmë po u jepet mundësia të fillojnë procesin e legalizimit të tyre.
“Në tërë territorin e Komunës së Klinës janë rreth 10 mijë objekte pa leje që pritet të legalizohen gjatë këtij procesi të legalizimit”, tregon drejtori i Urbanizmit, Lorenc Marleku, numrin e objekteve të ndërtuara pa leje në këtë komunë, në periudhën para dhe pas luftës. Ky proces ka nisur edhe në Komunën e Istogut, ku llogaritet që në tërë territorin e kësaj komune janë rreth 8 mijë ndërtime pa leje. Në Komunën e Pejës ky proces ka nisur para një muaji. Në tërë territorin e Pejës llogaritet se janë mbi 13 mijë objekte të ndërtuara pa leje para dhe pas luftës. Ndërsa në Komunën e Deçanit ky proces ende nuk ka filluar e as që do të fillojë këtë vit.