Aktuale
Kjo është historia e ish-Hotel Adriatik-ut në Mitrovicë

Hotel Adriatiku u ndërtua në vitet e 70 e atëherë hotel Adriatiku ishte njëri ndër objektet më luksoze të kohës dhe atë jo vetëm në Mitrovicë.
E sipas Osman Hasanit, që gjatë vitëve të 80 ishte në strukturat udhëheqëse, hoteli kishte mbi 50 dhoma, salla konferencash, salla dasmash e diskotekë.
E në kohët e veta më të mira një natë për person kushtonte 50 marka gjermane, ndërsa mysafir kanë qenë kryesisht struktura të larta shqiptare e serbe të asaj kohe.
“Ka funksionu qysh është më së miri. Po në vitet 90 – 91 Aziz Kabashi, Burhan Kavaja e të tjerë janë burgosur prej këtuhit. Kanë qenë njerëz eminent që kanë ardhë këtu edhe ka pasë një punë të suksesshme”, tha Hasani.
Ai kujton se brenda tij punonin rreth 350 punëtorë e që shumica ishin serbë, por edhe gjatë kohës së ndërtimit të tij kishte ndodhur një ngjarje tragjike.
“Në fillim tu u ndërtu hoteli, ka ndodhë edhe një rast, ka humb jetën një njeri. Emrin nuk e mbaj mend sepse kam qenë shumë i ri, mirëpo ka ra në ujë dhe ka vdekë, tash pas 60 vitesh u përsërit i njëjti rast”, kujton Hasani.
Ndërkohë objekti i ish hotelit ishte privatizuar në mars të vitit 2005, përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por asnjëherë nuk e kishte kryer funksionin e mëhershëm.
Atëbotë e kishte blerë kompania “T.F. Company”, me pronar Masar Kasakiqin, emri i të cilit figuron edhe më tej në agjencinë e regjistrimit të bizneseve.
Mirëpo, Egzon Jashari për gjeodezi, kadastër dhe pronë, në Komunën e Mitrovicës, ka konfirmuar që pjesën më të madhe të pronësisë së objektit tashmë e mbanë afaristi lokal Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”.




