Aktuale
Kjo është gjendja e rrugëve në gjithë vendin, sipas Ministrisë së Infrastrukturës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/Rruget-1.jpg)
Reshjet e borës kanë përfshirë gjithë Kosovën dje në orët e mbrëmjes. Mirëpo, të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme. Kështu njofton Ministria e Infrastrukturës, që sipas saj kjo është arritur falë punës dhe përkushtimit të ekipeve për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ministria ka njoftuar se e kalueshme është rruga Pejë – Kuqishtë, e cila mbrëmë ishte bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut.
“Sa i përket rrugës Pejë-Kuqishtë, përkatësisht kilometrit të 13-të të saj, e cila si pasojë e rrëshqitjeve të dheut ishte bllokuar mbrëmë, njoftojmë se tashmë kjo rrugë është zhbllokuar falë punës së kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtje. Rruga është e lirë për qarkullim, por që ende ka rrezik nga rrëshqitjet e mundshme të dheut. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që frekuentojnë atë zonë, që të kenë kujdes kur parkojnë rreth zonës së punimeve dhe përgjatë tërë aksit rrugor që dërgon nga Peja në Rugovë, ngase po krijohen vështirësi në punime dhe qarkullim të makinerive punuese që janë duke kryer punimet në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.
Sipas kësaj ministrie, në të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në Republikën e Kosovës gjendja është stabile, të gjitha janë të kalueshme pa ndonjë vështirësi dhe shtresat qarkulluese janë të pastruara nga bora, ndërsa brezi rrugor është më borë.
Pavarësisht se rrugët tani janë të kalueshme, Ministria e Infrastrukturës përmes kumtesës bën thirrje që të ketë kujdes në komunikacion.
“Reshjet e borës filluan mbrëmë orës 20:40 dhe kanë vazhduar deri rreth orës 4:30 të ditës së sotme, ndërsa temperatura minimale në kohën kur janë ndalë të reshurat ishte -3 grad celsius, kurse rreth orës 7:30 ranë në -4 gradë celsius. Në disa akse rrugore mund të ketë ngrica, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’u përshtaten kushteve dhe rregullave në trafik, në mënyrë që të rritet siguaria e qytetarëve e cila është prioriteti kryesor i yni”, thuhet më tutje në komunikatë.
Ministria gjithashtu njofton se kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në krye të detyrës, për çdo lëshim që mund të hasin qytetarët gjatë vozitjes se tyre, jemi në dispozicion për të reaguar dhe evituar pengesat eventuale.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)