Arkitekturë
Kjo është arkitektura më e njohur islame
Kultura islame ka dhënë disa nga kryeveprat më të bukura arkitektonike në botë. Detajet e përpikta dhe zbukurimet janë vula dhe tiparet unike të arkitekturës islame. Këto janë dhjetë zgjedhjet tona të ndërtesave më të bukura historike dhe bashkëkohore…
- Hamami i Sulltanit Amir Ahmad, Kashan, Iran
I ndërtuar në shekullin e 16-të, ky ish-hamam në ditët e sotme është një atraksion i popullarizuar turistik. Ai është i regjistruar si pjesë e trashëgimisë kombëtare. Godina është e zbukuruar me pllaka të mahnitshme dekoruese, disa prej të cilave janë prej rubini dhe ari.
Pse ta vizitoni?
Hamami ka një arkitekturë dhe dekorime të mrekullueshme, rëndësi historike dhe kulturore dhe është një nga vendet më të popullarizuara në këtë hapësirë.
- Chefchaouen, Marok
I themeluar në shekullin e 15-të, fshati është i rrethuar nga malet Rif. Rëndësia e tij historike, autenticiteti kulturor, me së shumti ngjyrimet e tij të kaltra, tërheqin shumë turistë gjatë gjithë vitit. Vizitorëve gjithashtu ju pëlqen të shëtisin rrugëve, t’i vizitojnë tregjet e artizanëve dhe ta provojnë kuzhinën e vendit.
Pse ta vizitoni?
Ky është një fshat i bukur historik, që shtrihet në një ambient piktoresk.
- Pallati Montazah, Aleksandri, Egjipt
I ndërtuar në vitin 1932, kjo godinë ka shërbyer si pallat veror për Mbretin Fuadi I. Arkitektura e këtij pallati të ngritur në bregun e Detit Mesdhe, kombinon stilin turk me atë fiorentin. Në ditët e sotme, pallati dhe kopshtet e tij të gjera mbretërore janë të hapur për vizitorë.
Pse ta vizitoni?
Ky është një vend i mrekullueshëm për t’u parë, me kopshte mahnitëse për shëtitje.
- Burj Al Arab, Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe
Një nga hotelet më luksoze, që pretendon të jetë i vetmi në botë me shtatë yje, Burj Al Arab mahnit me pamjet e tij të brendshme dhe jashtme. Nga jashtë forma e tij na e kujton atë të një anije me vela, ndërsa brenda vizitorët impresionohen me luksin marramendës.
Pse ta vizitoni?
Ky është hoteli më i famshëm dhe më luksoz në botë.
- Xhamia Jamehe Isfahanit, Isfahan, Iran
Kjo xhami spektakolare është rezultat i ndërtimeve të vazhdueshme nga shekulli i 7-të deri në shekullin e 20-të! Megjithatë, ajo konsiderohet të jetë objekti i shenjtë më i vjetër në këtë vend. Po ashtu thuhet se ajo është kryevepër arkitektonike persiane.
Pse ta vizitoni?
Kjo xhami e famshme është një shembull i arkitekturës së mrekullueshme persiane.
- Xhamia e Hasanit II, Kazablanka, Marok
Kjo xhami ka thyer disa rekorde: ajo është më e madhja në Afrikë dhe ka minaren më të lartë në botë, 210 metra. E përfunduar në vitin 1993, xhamia prej mermeri është ngritur në bregdetin e Oqeanit Atlantik, i cili mund të shihet përmes dyshemesë së sallës, të punuar prej xhami.
Pse ta vizitoni?
Kjo është një nga ndërtesat më të rëndësishme në Marok.
- Alhambra, Andaluzi, Spanjë
Alhambra, pallat mahnitës dhe kompleks fortesash, është ndërtuar gjatë sundimit të muslimanëve në Spanjë. Bukuria e tij mund të shpjegohet me faktin se ai është projektuar me qëllim që të reflektojë parajsën. Andaj, i gjithë kompleksi është i hatashëm: kopshtet, fontanat, përrenjtë përjashta, detajet e mrekullueshme artistike përbrenda.
Pse ta vizitoni?
Ky është shembulli më i famshëm i arkitekturës arabe në Evropë
- Xhamia e Nasir Al-Mulk, Shiraz, Iran
E ndërtuar në vitin 1888, kjo xhami konsiderohet të jetë një xhami tradicionale. Megjithatë, zbukurimet e jashtëzakonshme shumëngjyrëshe prej qelqi krijojnë një pamje që të lë me gojë hapur. Kur dielli rrezaton, përmes këtyre dritareve e gjithë hapësira mbushet me dritë ngjyrash të ndryshme.
Pse ta vizitoni?
Kjo xhami ka rëndësi historike dhe arkitektonike.
- Xhamia Selimije, Edirne, Turqi
E ndërtuar në shekullin e 16-të, kjo është një xhami e famshme osmane, që konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të arkitekturës islame. Dizajni i qartë, elementet dhe stili i saj janë vlerësuar dhe vlerësohen edhe sot e kësaj dite. Xhamia është e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Pse ta vizitoni?
Kjo xhami e bukur është një shembull i famshëm i arkitekturës islame dhe një destinacion i popullarizuar turistik në Turqi.
- Xhamia e Madhe e Sheikut Zayed, Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe
Emiri i ndjerë i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili e kishte porositur ndërtimin e kësaj xhamie kishte kërkuar që në të, të kombinohen vlerat, arkitektura dhe dizajni tradicional me ato moderne. Ky vend i shenjtë madhështor në të vërtetë bashkon botën: materiali për ndërtimin e kësaj xhamie është sjellë nga vende të ndryshme, përfshirë dhe vendet jo-islamike.
Pse ta vizitoni?
Kjo xhami është me rëndësi arkitektonike, kulturore dhe shpirtërore.