Arkitekturë
Kjo është arkitektura e shtetit shqiptar
Instituti i Statistikave publikoi për herë të parë një listëme institucionet buxhetore dhe me kompanitë apo ndërmarrjet e sektorit publik. Gjithsej 1,202 agjenci, 898 prej të cilave i përkasin qeverisë qendrore.
Shteti shqiptar funksionon aktualisht përmes 1,202 institucioneve, agjencive, enteve apo ndërmarrjeve, të cilat ofrojnë shërbimet publike, bëri të ditur Instituti i Statistikave të premten e kaluar në publikimin e parë të këtij lloji. Lista e institucioneve është nxjerrë nga të dhënat e zyrës së Thesarit në Ministrinë e Financave dhe Bankës së Shqipërisë, publikohet për herë të parë. Lista e plotë mund të gjendet këtu.
Struktura e shtetit shqiptar dhe eficenca e ofrimit të shërbimeve publike ka qenë pjesë e debatit të qeverisë aktuale, e cila premton se do të ulë burokracinë dhe do të zvogëlojë “numrin e agjencive” por pa ofruar ndonjë paraqitje sintetike të gjendjes aktuale dhe të strukturës së re të propozuar.
Nga të 1202 agjencitë e renditura, 898 i përkasin qeverisë qendrore ndërsa 282 i përkasin Pushtetit Vendor. Nga institucionet e qeverisë qendrore, 835 njësi janë me financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit ndërsa 63 klasifikohen nga INSTAT si Extra-Buxhetore, gjë që nënkupton kompani nën pronësi publike apo institucione që konsiderohen si agjenci të pavarura me të ardhura të vetat apo institucione të ndërmjetme. Qeveria qendrore kontrollon drejtpërsëdrejti edhe 14 kompani publike. Disa nga këto kompani publike kanë aktivitet të madh ekonomik, si KESH, OSHEE apo OST. Disa të tjera e kanë më të kufizuar aktivitetin, si Dinamo SH.A.
Pushteti vendor ka 192 institucione të financuara nga taksat dhe 90 të klasifikuara si ‘Extra-Buxhetore.’ Ndërmarrjet jo të financuara tërësisht nga taksat nën varësi të pushtetit vendor janë më së shumti kompanitë e ujësjellësve dhe skuadrat e futbollit. Në Shqipëri gjenden aktualisht 30 klube sportive nën varësinë e bashkive dhe 57 ndërmarrje të ujësjellës-kanalizimeve.
Shërbimet bazë në nivel rrethi
Shteti shqiptar e ofron shumicën dërrmuese të shërbimeve të qeverisë qendrore në nivel rrethi. Rrethi qe njësia administrative kryesore në kohën e Komunizmit, përmes të cilit funksiononin shërbimet publike bazë si arsimi dhe shëndetësia. Rrethet qenë 27 në kohën e Komunizmit dhe u bënë 36 në vitin 1994, kur qeveria plotësoi kërkesat vendore të zonave të ndryshme për më shumë autonomi, të tilla si kërkesa e Kavajës për shkëputje nga Durrësi apo kërkesa e Kurbinit për shkëputje nga Kruja. Aktualisht, Shëndetësia në nivelin e spitaleve, arsimi në nivelin e drejtorive arsimore të rretheve, zyrat e punës, ku regjistrohen të papunët që kërkojnë ndihmë ekonomike, janë që të gjitha të zhvilluara sipas ndarjes së rretheve.
Kështu, shërbimi spitalor ofrohet përmes 39 spitaleve rajonale si dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga të 39 spitalet rajonale, 34 janë efektivisht spitale rrethesh ndërsa pesë janë të specializuar, të tillë si spitalet psikiatrike në Elbasan dhe Vlorë, apo Spitali i Burgut në Tiranë.
Ka disa rrethe, veçanërisht ato të krijuara në vitin 1994, të cilat argumentohet se janë tepër të vogla për të justifikuar ekzistencën e një Drejtorie Arsimore Rajonale, apo një spitali. Hasi apo Delvina janë shembuj tipikë të rretheve me territor dhe popullsi të vogël. Disa rrethe të tjera, si Devolli, Delvina apo Mirdita duket se nuk kanë popullsi të mjaftueshme për të justifikuar mbajtjen e një spitali të tërë. Supozohet se përqendrimi i shërbimeve spitalore në pak qendra ndihmon në rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve fizike dhe njerëzore. Që nga viti 1995, studime të ndryshme të kryera veçanërisht me nxitjen e Bankës Botërore kanë ngritur shqetësimin për nevojën e rialokimit të burimeve të sektorit të shëndetësisë në përputhje me ndryshimet demografike të vendit. Besohet se shërbimet shëndetësore janë të mbingarkuara në zonat ku ka pasur rritje të shpejtë të popullsisë si Tiranë dhe Durrës dhe të nënngarkuara me punë në pjesën tjetër të vendit. Gjithsesi, rialokimi i këtyre shërbimeve ka mbetur i pakryer për shkak se partitë politike i përdorin punësimet në shtet në arsim dhe shëndetësi për të fituar kapital politik në zona të caktuara.
Struktura në nivel qarku
Në vitin 2000, qeveria e kohës krijoi një strukturë të quajtur qark, dhe hoqi strukturën rreth. Efektivisht të 36 rrethet u bashkuan në 12 qarqe, struktura rreth të cilave u zhvilluan disa shërbime publike bazë. Bordet e kullimit, psh, institucione që kanë për detyrë të kujdesen për kanalizimet e drenazhimit të bujqësisë, janë gjithsej 13, ku devijimi i vetëm është Lushnja, zonë pjesë e qarkut Fier, por që ka bordin e vet të kullimit për shkak se është zona më e rëndësishme bujqësore në vend. Në të njëjtin nivel janë ndarë edhe drejtoritë e bujqësisë, drejtoritë e pyjeve, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, apo drejtoritë e mjedisit.
Pushteti gjyqësor
Sistemi i gjykatave në Shqipëri është i organizuar në bazë të dekreteve të veçanta presidenciale dhe përkon përafërsisht me shtrirjen territoriale të rretheve. Aktualisht ka 22 gjykata rrethesh, ku efektivisht 12 rrethe të vogla si Skrapari apo Bulqiza janë bashkuar me rrethet më të afërta si rrethe gjyqësore. Gjykatat e Apelit janë gjashtë, një nëçdo dy rrethe, dhe po kështu janë shtrirë edhe gjykatat administrative. Shërbimet e prokurorisë janë shtrirë paralelisht në të njëjtën mënyrë me gjykatat.
Pushteti vendor
Pushteti vendor përbëhet nga 192 institucione buxhetore dhe 90 institucione jobuxhetore. Përmes këtyre institucioneve, pushteti vendor ka për detyrë të ofrojë shërbimin e arsimit parashkollor, mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme, shërbime të ndryshme sociale, si kujdesi për jetimët apo të moshuarit, shërbimet e ujësjellësve dhe kanalizimeve, shërbimet për jetën kulturore të qyteteve, etj. Ndërmarrjet e bashkive, të cilat funksionojnë teorikisht si kompani nën pronësi publike, ndahen gjithsej në dy kategori të mëdha: Ujësjellësit dhe klubet e futbollit. Aktualisht në vend ka 57 ndërmarrje ujësjellësish dhe kanalizimesh, tre ndërmarrje për menaxhimin e mbetjeve, (dy landfille dhe ndërmarrja e menaxhimit të mbetjeve urbane të qarkut Korçë), si dhe 30 skuadra futbolli.