Aktuale
Kisha serbe tenton t’i ndalë punimet në rrugën Deçan – Plavë (VIDEO)

Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të jetë aktive në pengimin e zhvillimit të Kosovës, në përpjekjen e saj për ta dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës, si në lobimin kundër interesave të vendit tonë.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe sot ku e ashtuquajtura Dioqezë Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe ka reaguar lidhur me fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës magjistrale që lidh Kosovën me Malin e Zi, nga Deçani deri në Plavë.
Kjo Dioqezë i ka njoftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, OSBE dhe KFOR-it se Qeveria e Kosovës i ka filluar “jashtëligjshëm” punimet në rrugën magjistrale Deçan-Plavë dhe në zonën e mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit.
Në njoftimin e kësaj Dioqeze, thuhet se ndërtimi i këtyre rrugëve në zonën e mbrojtur është e ndaluar rreptësisht me Ligjin për Zonat Speciale të Mbrojtura që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
“Shkelja e këtij ligji, megjithë refuzimin e regjistrimit të tokës deçanase sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që para dy vjetësh, paraqet edhe një shembull flagrant të paligjshmërisë që e implementojnë institucionet e Kosovës”, thekson Dioqeza Rashkë-Prizren.
Sipas tyre, zonën e mbrojtur sot e kanë vizituar edhe përfaqësuesit e OSBE-së të ekipit monitorues dhe kanë evidentuar shkeljet që ekskavatorët po i sjellin ambientit që përveç se është zonë e mbrojtur është edhe hapësirë që i takon Parkut Kombëtare të Bjeshkëve të Nemuna.
Ata tonë se për rrugën Deçan-Plavë disa herë është diskutuar në mbledhjet e Komisionit për mbrojtjen e zonës të cilin e përbëjnë përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë, Misioni i OSBE-së, ministrat kosovarë të Ambientit dhe të Kulturës, si dhe përfaqësuesi i Dioqezës.
“Dioqeza Rashkë-Prizren në vazhdimësi thekson se kisha nuk është kundër ndërtimit të rrugëve, por se ndërtimi i rrugës magjistrale në afërsi të objektit i cili është i mbrojtur nga UNESCO paraqet shkelje të ligjit ekzistues, por edhe do t’i sjellë dëm të madh Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.
Tutje aty thuhet se rritja e komunikacionit, lëvizja e mjeteve të rënda, zhurma dhe tollovia e krijuar rreth manastirit do të sjellë dëm të pariparueshëm.
Më 24 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim më komunën e Deçanit kanë mbajtur ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e Rrugës Deçan – Plavë.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Deçanit kanë thënë se ndërtimi i kësaj rrugë absolutisht nuk e prek zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Videoja e postueme nga Sava Janjic, Igumen i Manastirit të Deçanit. Bllokuesi kryesor i punimeve!
