Arkitekturë
Kino “Lumbardhi”&”Bahçe”, trashëgimi e ndërtuar mbi trashëgimi që po ringjallet nga të rinjtë prizrenas [video]
Ndikimi i lumit që kalon midis qytetit magjepsës të Prizrenit, ka bërë që edhe kinemaja e vjetër e këtij qyteti të marrë emrin e lumit. Dikur “Bistrica” e sot “Lumbardhi”.
Uran Haxha
E ndodhur në Qendrën Historike të Prizrenit, kinemaja është ndërtuar në vitet e ’50-ta të shekullit XX. E karakterizuar me një dizajn të thjeshtë arkitektonik në pamje nga jashtë, bëhet pjesë e modernizimit në vitet e ’50-ta.
Sapo futesh brenda hollit të saj era e ndërtimeve të komunizmit ndjehet. E mbështjellë në mure me llamperi e dyer te vjetra. Në katin e dytë ku ka zyra është edhe ballkoni, në të cilin duhet të hysh nga një derë e zbukuruar me një tapet druri. E brenda ballkonit të vjen pamja fantastike e trarëve që mbajnë çatinë, raporton Ndertimi.info.
Nën ballkon e çati shtrihet salla tashmë e transformuar. Me anë të organizatës “Lumbardhi” që drejton, Ares Shporta po ndan një pjesë të jetës së tij, për t’i dhënë jetë kësaj hapësire. Ai tregon paksa për historinë e kinemasë, së ndërtuar në oborret dhe shtëpitë e rrënuara dikur.
“Kino ‘Bistrica’ e tash ‘Lumbardhi’ është ndërtu 1948-51, ka qenë pjesë e një vale të ndërtimit të kinemave në krejt Jugosllavinë. Sot përderisa është aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, atëherë ka qenë sulm ndaj trashëgimisë kulturore që ka ekzistu këtu, pasi ka ndodhur shpronësimi dhe shkatërrimi i dyqaneve dhe shtëpive private që kanë qenë këtu buzë lumit, për t’u ndërtuar kjo”, tregon Shporta, i ulur në një nga karrigat e kinemasë që ka spërkatur Prizrenin me art, sikur lumi që e ka spërkatur me ujë e freski.
Pasi të rinjtë e morrën në dorë këtë kinema, aty pati edhe ndryshime. “Problemi kryesor ka qenë me kulmin, i cili ka qenë shumë i dëmtuar edhe nga të reshurat e shiut ka filluar të dëmtohet struktura e objektit, qoftë muret mbajtëse anash, qoftë tavani, pjesa administrative. Ndër veprimet e para ka qenë me gjet mbështetje për intervenim urgjent dhe me mbështetjen e organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufi në vitin 2016 arritëm ta përtrijmë kulmin. Ishte një moment kur e humbën tavanin, por i fituam trajet. Eksperti i statikës ka konstatuar se janë të fortë dhe vetëm i kemi pastruar”, tha Shporta, teksa ka nënvizuar dy ndryshimet substanciale, që ka qenë ngjyrosja e sallës përbrenda dhe reduktimi i numrit të karrigave, për shakak të konfortit.
Ditët e dimrit kishin bërë që kinemaja përmbrenda të ishte e ftohtë. Në të ardhmen Aresi dhe shokët e tij mendojnë që t’i instalojnë edhe një sistem ngrohjeje. Duke dalë nga kinemaja, nuk është se del përfundimisht. Praktikisht futesh në një kinema tjetër. Kino e hapur, e njohur si Kino Bahçe.
“Kino e hapur është ndërtuar diku 8 vjet pas asaj brenda, me shpronësimin e oborrit të një fqiu tjetër edhe shpejt është bë hapësirë e preferuar për qytetarët. Më herët ka pasur hyrje nga jashtë, më pas është hapur dera që është edhe sot”, rrëfen ai teksa lëshon sytë rreth e rrotull hapësirës madhështore. Ai tregon edhe për ndryshimet që janë bërë dhe se parashihet të bëhen.
“Ka ndryshuar ndër vite, pasi ka pasur shumë më shumë vegjitacion dhe drunjtë e mëdhenj i kanë pengu me rrënjë fqinjët edhe më pas kur është bërë ndërhyrja në kulm, mjeshtrit ishin të pakujdesshëm dhe e kanë prerë një bimë në fasadë, por ajo ka dëmtu fasadën. Në pjesën frontale janë hequr disa karriga dhe janë dërguar në një fshat diku, kaq dijmë. Ngjyra e karrigave ka ndryshuar. Plani për pjesën jashtë është që ta ç’misticizojmë derën jashtë dhe ta bëjmë më komunikuese, pak në peisazh, e më pas do të hiqet betoni dhe do të bëhet taman ‘Bahçe’”.
Duke soditur në qoshet e hapësirës së Kino Bahçe edhe mund të shohësh ndonjë dritare të vogël nga shtëpitë përrreth që s’kanë pasur nevojë të blejnë biletë për të parë film. E prej aty duhet të largohesh në një derë e vjetër shumë, ndoshta afro sa vet kinemaja, që përmbi mban një mbishkrim tepër modern “CINEMA”.