Aktuale
Kino Lumbardhi do të hapet në shkurt, vazhdojnë punimet në rijetësimin e tij
Ka filluar faza e radhës e projektit “Rijetësimi i Kino Lumbardhit”, i cili ka të bëjë me restaurimin dhe rishfrytëzimin e Kino Lumbardhit në Prizren.
Kino Lumbardhi është një hapësirë publike, që përmes këtij projekti tentohet që t’i rikthehet cilësia që e ka pasur dikur.
“ I udhëhequr nga projekti i arkitektes kryesore Aslihan Demirtaş nga Khora Office dhe arkitektes së peizazhit Claudia Taborda, kjo fazë synon të ruajë dhe rikthejë cilësitë e trashëgimisë së bahçes, të pasurojë florën e saj dhe ta bëjë atë të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike përmes krijimit të një sistemi natyror të drenazhimit dhe formimin e një mikroklime brenda Kino Bahçes”, thuhet në njoftimin e organizatës Lumbardhi.
Sipas tyre, punimet e projektit tëprfshijnë mbjelljen e pishave, zëvendësimin e betonit të padepërtueshëm, që është tani me beton të depërtueshëm, i cili rimbush ujërat nëntokësore dhe zvogëlon efektin e ‘ishullit të nxehtësisë”, si dhe do të bëhet restaurimi i portës kryesore të bahçës, karrigeve, skenës dhe ekranit.
“Lumbardhi” ka njoftuar se përfundimimi i punimeve do të bëhet me rihapjen e kinemasë, që do të ndodhë në shkurt të vitit të ardhshëm.
“Përfundimi i punimeve do të arrihet me rihapjen e kinemasë në shkurt 2020 me sezonin e ri programor që do të kumtohet muajin tjetër. Zbatuar nga “Harisi Group” nën mbikëqyrjen e CHëB Kosova, punimet janë mundësuar nga projekti “Dialogu ndër-komunitar përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” i financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitetin dhe Paqen (IcSP) dhe implementuar nga United Nation Development Programm (UNDP) në Kosovë”, kumtohet në njoftim.