Aktuale
Kina vë në qarkullim “trenin si plumb”: Ka 2,718 sensorë dhe lëviz me shpejtësi deri në 350km/h
Kina kohët e fundit ka zbuluar një tren të ri, i cili pritet të lidh Pekinin me qytetin e Zhangjiakou, ku do të mbahen shumë nga ngjarjet e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, treni i ri me shpejtësi të lartë do të zvogëlojë kohën e udhëtimit midis dy qyteteve, nga tre orë në vetëm 47 minuta.
Thuhet gjithashtu se ky “tren plumb” është i pari në botë që mund të shkojë deri 350 kilometra në orë pa shofer (një shofer monitorimi do të jetë në bord në rast emergjencash).
Ndërsa hekurudha nëpër të cilën pritet të ecë ky tren mori rreth katër vjet për ta ndërtuar – dhe do të bashkohet me Pekinin, Yanqing dhe Zhangjiakou.
Gjithashtu do të ketë dhjetë stacione të ndryshme, përfshirë Badaling Changcheng, ku njerëzit mund të hyjnë në Murin e Madh të Kinës.
Sa i përket dizajnit, thuhet se disa kabina kanë zona të mëdha depozitimi për pajisje sportive dimërore – dhe jo vetëm.
Veç kësaj, trenat do të jenë “të zgjuar” me sinjale të pajisura 5G, ndriçim inteligjent dhe 2.718 sensorë për të identifikuar ndonjë problem në kohë reale.
Robotët dhe teknologjitë e njohjes së fytyrës do të përdoren në stacione për gjithçka, nga drejtimet deri tek kontrolli.
Ndryshe, treni i ri vjen ndërsa Pekini vazhdon të përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore 2022.
“[Trenat] mund të përmirësojnë efikasitetin e punës sonë, të promovojnë sportet dimërore të Kinës dhe të forcojnë ekonominë e akullit dhe dëborës”, ka thënë për median shtetërore Xinhua, Yang Yang, një medalist i artë për patinazh.
https://youtu.be/pwnDXmPz-3g