Aktuale
KIE: Kosova vuan nga imazhi për të tërhequr investime të huaja
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/auto_IMG_58091513157992.jpg)
Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE), dje ka organizuar për herë të pestë Asamblenë e Përgjithshme. Në këtë asamble ishin prezentë një numër i madh i investitorëve nga e vendet e BE-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në këtë takim është diskutuar për përparësitë ekonomike dhe rëndësinë ekonomike që ka Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), po ashtu është diskutuar për sektorin e prodhimtarisë dhe rëndësinë e ekonomisë digjitale me fokus të veçantë në identifikimin e mundësive të reja si dhe barrierave aktuale, transmeton Koha.net.
Drejtori ekzekutiv i KIE, Shpend Balija, ka thënë se Këshilli i Investitorëve Evropian është zëri i investitorëve evropianë.
“Për herë të parë në historinë e Kosovës kemi një marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian, atë të MSA-së, e cila lehtëson të bërit biznes, dhe si e tillë ne duhet të kemi të qartë se cilat janë përparësitë apo mangësitë e një marrëveshje të tillë”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se investimet e huaja direkte janë të një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe transformimin e njohurive të reja.
“Synimi ynë është arritja e një rritje ekonomike e cila është për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Ne duhet të fokusohemi drejt zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, duke synuar kështu përmirësimin e ambientit për sektorin privat, në mënyrë që sektori publik mos të shikohet si opsioni më i preferuar për punësim”, është shprehur Balija.
Më tutje Balija, ka thënë se institucionet e Kosovës, duhet ta kenë në fokus përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Kosova vuan nga imazhi edhe pse realiteti është shumë më pozitiv dhe se në Kosovë mund dhe duhet të bëhet biznes i mirëfilltë, mirëpo duhet që numri i kompanive prodhuese të shohin të ardhmen e tyre në Kosovë”, ka thënë Balija.
Ndërsa kryetari i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropian (KIE), njëherësh drejtor ekzekutiv në “Ipko”, Robert Erzin, ka thënë, “KIE-ja është themeluar para tri vitesh. Ne jemi themeluar si bashkëbisedues në mes të bizneseve evropiane, institucioneve të BE-së dhe institucioneve vendore. Kemi investuar më shumë se një miliard euro dhe kemi punësuar mbi 5 mijë punëtorë. Ne si ‘Ipko’, e kemi licencën e parë për të dhënat mobile ‘Mobile data’. Investimet në infrastrukturën ajrore janë të larta dhe kapin shifrën e 150 milionë euro. Në Kosovë ka shenja pozitive, por Qeveria duhet me ndryshuar”.
Në anën tjetër, Gerrie Ëillems, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, ka thënë se ndihet e nderuar që ka marrë pjesë në Asamblenë e KIE-së. Ajo ka apeluar tek institucionet e Kosovës që të zbatojnë legjislacioni konform MSA-së.
“Si shtet anëtar i Bashkimit Evropian (BE), Holanda vazhdon ta mbështesë Kosovën drejt integrimit evropian. Nuk pres asgjë më shumë e as më pak nga institucionet e Kosovës se sa zbatimin e këtyre reformave, pasi do të bëjë Kosovës më joshëse”, ka theksuar Ëillems.
Ajo ka thënë në Kosovë operojnë 12 kompani nga Holanda. “I kemi 12 kompani nga Holanda që punojnë në Kosovë, të tjerët përballën me sfida. Sfidat janë në katër kategori: sundimi i ligjit, më pak rregullore administrative, më pak trakë e kuqe si dhe furnizimi me energji elektrike” është shprehur Ëillems.
Në punimet e Asamblesë së Këshillit të Investitorëve Evropian (KIE) ka folur edhe zëvendësdrejtoresha e “ProCredit Bank”, Eriola Bibolli. Në adresimin e saj, ajo është fokusuar në platformën digjitale të ekonomisë bankare dhe rëndësinë e shmangies së keshit. “Shmangia e keshit është një platformë globale dhe në këtë çështje mund të ndikojnë si konsumatorët ashtu dhe bankat. Ne si njëra ndër bankat më të mëdha në Kosovë kemi investuar në platformë të internetit”, ka thënë Bibolli.
Një rëndësi e veçantë është sektori i prodhimit dhe për këtë, Visar Ramajli, anëtar në Këshillin e Investitorëve Evropian, njëherësh drejtor ekzekutiv në “Kivo”, ka diskutuar rreth përparësive dhe sfidave në sektorin e prodhimit. Ramajli është shprehur se në Kosovë mund të ketë storie të suksesit dhe se kompania e tij ofron mundësi të mirë për punësimin e të rinjve, por tregon se për të arritur deri këtu nuk ishte e lehtë. Ai ka përmendur sfidat që kanë pasur si “startup”.
“Të qenit kompani e re e cila ka nevojë për kapital nuk është shumë e lehtë që ky kapital të sigurohet në fazën fillestare” është shprehur Ramajli.
Megjithatë ai i inkurajon investitorët potencial që të vijnë në Kosovë sepse për kundër vështirësive ka edhe shumë mundësi për suksese.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)