Aktuale
Këtu do të kalojë Autostrada e Dukagjinit

Pas disa versioneve të propozuara, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka aprovua versioni final të Autostradës së Dukagjinit.
Kjo autostradë përfundimisht do të kalojë nga komunat Istog – Pejë – Deçan- Junik – Gjakovë – Rahovec – Prizren, shkruan Ndërtimi.info.
Këshilltari i Miinstrit të Infrastrukturës, Argjend Zejnaj ka treguar për Ndërtimi.info, sa kyçje në autostradë do t’i ketë secila komuna e përfshirë.
“Peja do t’i ketë tri kyçje, Deçani një, Juniku një, Gjakova tri, Rahoveci një dhe Prizreni një”, tha ai.
Në lidhje me parcelat e sakta që do të preken me versionin final të autostradës, Zejnaj tha se janë çështje teknike profesionale.
Tutje, ai shtoi se kjo autostradë do të jetë e qëndrueshme ekonomikisht, derisa tregoi pse do të jetë e favorshme për këto komuna.
“ E rëndësishme është që pas shumë konsultimeve të komitetit, me kryetarët e komunave, në debat me qytetarët, ka qenë një harmonizim i plotë i krejt këtyre qëndrimeve dhe përafërsisht ka dalë një version që do të jetë i qëndrueshëm ekonomikisht dhe i favorshëm për të gjitha komunat që i prek kjo autostradë, që i bënë me i lidh me kordonin 8 dhe 10. Në të njëjtën kohë i nxjerr jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë’, shtoi ai.
Autostrada e cila do të jetë e gjatë ,mbi 90 kliometra pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës mbi 1 milionë euro dhe pritet të fillojë këtë vit.
Gjatë një dëgjimi publik, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj kishte thënë se kjo autostradë do të lidh 50 vendbanime dhe 7 komuna.
“Kjo autostradë lidh 50 vendbanime dhe 7 komuna që do të kenë qasje. Peja përfiton, mjaftë kemi diskutuar. Kjo autostradë të jetë me standarde evropiane pasi lidh edhe korridoret me autostradën “Arbën Xhaferi”, autostradën me emër të ish-presidentit të ndjerë “Ibrahim Rugova”, autostrada Pejë -Prishtinë lidh korridoret e rëndësishme evropiane”, ishte shprehur ai në Pejë.
Ndërsa, këtë autostradë e kishin kundërshtuar qytetarët e Rahovecit, me arsyetimin se me variantin të cilin e ka prezantuar Ministria e Infrastrukturës po dëmtohet lumi Drini dhe është anashkaluar kjo komunë, pasi që autostrada është larg 14 kilometra nga qyteti i Rahovecit.
Ndërkaq, fitues për projektimin e autostradës ka dalë grupi i operatorëve ekonomik N.N “Infra-Plus”, N.T.Sh “Infratek”.
Mirëpo, në qershor të vitit të kaluar ishte kërkuar që tenderi për këtë autostradë të kthehet në rivlerësim. Që lënda të kthehet në Rivlerësim kishin kërkuar ekspertët e prokurimit të “Gjykatës së Tenderëve”, meqë ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik, dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-së, që është kriteri kryesor për dhënien e kontratës, pra që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.
“Eksperti i prokurimit duke u mbështetur në ekzaminimin e fakteve të prezantuara në dosjen e tenderit si dhe rrjedhën e vlerësimit nga ana e AK-së, rekomandon që ankesat e OE për tenderin e MI-së me titull “Hartimi i projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog-Deçan-Gjakovë-Prizren L 91 kilometra” me numër prokurimi MI-17/112/211 të miratohet si pjesërisht e bazuar. Prandaj, rekomandimi ynë përfundimtar është që ky aktivitet të kthehet në rivlerësim”, thuhej në mendimin e ekspertit të prokurimit.
Ndërkaq, për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit Ministria e Infrastrukturës kishte nisur procesin në prill të vitit 2018.
Krejt ky proces kishte nisur ende pa përfunduar ndërtimi i Autostradës “Arbën Xhaferi”, dhe pa filluar ende punimet në Autostradën Prishtinë-Gjilan./Ndërtimi.info/
