Aktuale
Këto janë projektet për të cilat diskutuan Kadriu e Pacolli

Zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu ka takuar nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Selim Pacolli, në të cilin takim u bisedua për projektet infrastrukturore të kryeqytetit.
Në këtë takim u bisedua për zgjerimin e rrugës “Veternik”, kyçjen e rrugës “A” me nënkalimin që lidh lagjen “Kalabria” me pjesën tjetër të qytetit dhe unazën e brendshme.
“Sot po bisedojmë për zgjerimin e “Veternikut”, kyqja e rrugës A me nënkalim, që i lidhë dy lagjet, atë “Kalabria” me pjesën tjetër të qytetit, unaza e brendshme, dhe tri projekte të tjera që do ta lidhin Prishtinën me zonat rurale”, ka thënë Kadriu.
Kadriu tha se bashkëpunimi i ministrisë me komunën është në funksion të harmonizimit të projekteve, çka nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Nga këto takime, e nga ky bashkëpunim, përfitues direkt do të jenë qytetarët e vendit tonë, e sidomos ata të kryeqytetit.
Nënkryetari Pacolli ka thënë se Komuna e Prishtinës ka nevojë për mbështetje në projektet e mëdha infrastrukturore dhe se komuna do të jetë e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim me ministrinë, në mënyrë që projektet infrastrukturore të jenë të harmonizuara mes vete dhe të ofrojnë zgjidhje optimale për qytetarët.
Kadriu, po ashtu ka premtuar se ministria do të jetë në mbështetje të Komunës së Prishtinës, për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, kurse ka shfaqur gatishmërinë që komunikimi mes dy niveleve të qeverisjes të jetë në funksion të harmonizimit të projekteve dhe i njëjti të ndodhë edhe në të ardhmen, në baza ditore e javore, deri në materializmin e të gjitha projekteve që janë paraparë.
