Aktuale
Këto janë procedurat e reja për ankesa kundër vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje
Me qëllim të përcaktimit të procedurave dhe kritereve për dorëzim, shqyrtim dhe vendimin mbi ankesat kundër vendimeve të organit kompetent për trajtimin e ndërtimeve pa leje, komunave apo Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, tashmë ka hyr në fuqi Udhëzim Administrativ për procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Sipas këtij udhëzimi administrativ, autoriteti kompetent për të vendosur në shkallën e parë mbi ankesën kundër vendimit për kategorinë I, II dhe III është njësia përgjegjëse organizative në kuadër të organit komponent ( komunat apo MMPH), i cili ka nxjerr vendimin ose nuk ka kryer veprimin përkatës sipas ligjit.
Ndërsa, autoriteti kompetent për të vendosur në shkallën e dytë është Komisioni i ankesave për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje i themeluar sipas ligjit dhe këtij udhëzimi administrativ.
Të gjithë pronarët apo investitorët e objekteve për të cilat është marrë vendim për rrënim, ankesat mund t’i bëjnë në afat prej 30 ditësh nga pranimi i vendimit të organit kompetent, qoftë shkallës së parë apo tij të shkallës së dytë. E, nëse ankesa nuk bëhet brenda këtij afati, vendimi bëhet i plotfuqishëm.
Ndërsa, nëse vendimi i plotfuqishëm për ankesën e kthen një ndërtim pa leje, për të vazhduar me procesin e legalizimit, aplikuesi ka 90 ditë kohë për të filluar ose vazhduar procedurën e legalizimit dhe pas pranimit të aplikacionit, organi kompetent procedon aplikacionin për legalizim.
E, në këtë udhëzim administrativ përcaktohet baza për ushtrimin e ankesës kundër vendimit të organit kompetent.
Sipas këtij udhëzimi, organi kompetent duhet të themelojë Komisionin për Ankesa për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili duhet të përbëhet nga një përfaqësues nga Departamenti për Inspektim të mjedisit, natyrës, ujërave, planifikim dhe ndërtimit nga MMPH-ja; një përfaqësues nga Agjencia Kadastrale e Kosovës; dy përfaqësues nga Departamenti i Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit të MMPH-së dhe një përfaqësues nga Departamenti Ligjor i ministrisë. /Ndërtimi.info/
[pdf-embedder url=”https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/ua-nr-5-4298-19-min.pdf” title=”ua nr 5-4298 19-min”]