Featured
Këto janë milionat që fitoi Komuna e Prishtinës nga Lejet e Ndërtimit nga 2014-a
Për ndërtimin e një objekti të çfarëdo lloji duhet të merret leje nga komuna përkatëse. Kjo është edhe njëra nga format përmes të cilës komunat grumbullojnë të hyrat e tyre.
Duke qenë kryeqendër e Kosovës, interesimi për të ndërtuar në Prishtinë është çdo herë më i madh. Objektet shumëkatëshe tashmë kanë zënë vend pothuajse në çdo pjesë të kryeqytetit.
Pasi një leje ndërtimi mund të kapë shifrën e qindra mijë euro, nga ndërtimi i këtyre objekteve Komuna e Prishtinës ka mbushur arkën e saj me miliona për çdo vit.
Për katër vjetët e fundit në buxhetin e Komunës së Prishtinës vetëm nga taksat për leje ndërtimi janë derdhur rreth 27 milionë euro (26 milionë e 950 mijë euro).
Vetëm gjatë këtij viti prej këtyre leje të lëshuara Komuna e Prishtinës ka arkëtuar mbi 2.5 milionë euro. Ndërsa në vitet e kaluara shihet se të hyrat e Komunës nga këto leje kanë qenë mjaftë të mëdha. Vetëm në vitin 2016 janë grumbulluar mbi 10 milionë euro (10.5 milionë), në vitin 2015 kishte 4 milionë më pak, 6.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2014 Komuna e Prishtinës nga të njëjtat leje arkën e saj mbushi me mbi 7 milionë euro (7.3 milionë).
Ndërkaq, Komuna e Prishtinës si edhe komunat tjera arkën e saj e mbushin edhe përmes taksave të tjera.