Aktuale
Këto janë arsyet pse janë zvogëluar kreditë e këqija në Kosovë

Kreditë jo përformuese të njohura si kredi të këqija, gjatë katër viteve të fundit kanë shënuar rënie për 48 për qind, shkruan Ndërtimi.info
Kjo rënie e kredive të këqija ka ardhur si rezultat i mbikëqyrjes proaktive e Bankës Qendrore, dialogu me bankat dhe aktivizimi i i përmbarueseve privat.
Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar se në vitin 2013 kreditë jo performuese kanë qenë 8.9, ndërsa sot këto kredi kanë rënë në 3.9 për qind.
“Gjatë këtyre katër viteve kemi një rënie të kredive jo performuese diku rreth 48 për qind. Përderisa në vitin 2013 kreditë jo performuese kanë qenë 8.9 për qind sot kreditë jo performuese kanë rënë në 3.9 për qind ka rënë dukshëm niveli i kredive jo performuese. Kjo si rezultat i tre faktorëve që kanë ndikuar në uljen e kredive jo performuese është mbikëqyrja proaktive e Bankës Qendrore, apo dialogu me bankat, dhe faktikisht është një prej indikatorëve. Indikatori i dytë është edhe aktivizimi i përmbaruesve privat që ka dhënë një rol shumë të rëndësishëm në uljen e kredive jo performuese”, tha Mehemti.
Ulja e kredive të këqija ka ndikuar në përfitim të bankave. Siç shpjegon Mehmeti kjo pasi që bankat nuk kanë nevojë të bëjnë ndarje të rezervave për kredi të këqija. Kjo vërehet edhe në të dhënat e vitit 2012 dhe ato të 2016-ës.
Në vitin 2012 fitimi i bankave ishte 12.6 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 fitimi i bankave është dukshëm i rritur, me 75.5 milionë euro.
“Ulja e kredive jo performuese ka ndikuar që edhe bankat të kenë fitim për arsye se nuk kanë më nevojë bankat të bëjnë ndarje të rezervave për kreditë e këqija se janë ule ndryshme dhe kjo po ndikon dukshëm që bankat të jenë profotabile dhe të kenë fitimin. Nëse e shohim prej vitit 2012, dhe e bëjmë krahasimin e shohim se fitimi i tyre ka qenë diku 12.6 milionë euro, e në vitin 2016 është 75.5 milionë euro e si rezultat i këtyre faktorëve”, shpjegon Mehmeti.
Nëse shohim të hyrat e interesit, këto kanë shënuar rënie.
“Meqenëse e përmend çështja enormes së interesit, sipas të dhënave të fundit të gushtit që i kemi norma efektive e interesit ka rënë në 6.8 për qind nëse e marrim normën e interesit për bizneset dhe ekonomitë familjare. Nëse e shohim brenda strukturës të kësaj, norma e interesit në kredi vetëm për biznese është 5.87 për qind, norma efektive e interesit”, thotë Mehmeti.
E norma efektive e interesit për kreditë hipotekare është 4 deri në 5 për qind, ku në katër vite më herët norma efektive e interesit ishte deri në 14 për qind.
Sipas Mehmetit kjo është një arritje e madhe që është bërë në sistemin bankar.
“Ndërsa, për kreditë hipotekare, do të thotë për kredi që janë të mbuluara me hipoteka, norma efektive e interesit është 4 deri në 5 për qind. Nëse kthehemi 4 vite më herët e shohim që ka qenë norma efektive e interesit deri në 14 për qind. Pra, kjo është si rezultat dhe një arritje shumë e madhe që është bërë në sistemin bankar”, potencoi Mehemti.
