Aktuale
Këtë vit fillon ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë

Ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimi i ujëmbledhësve të rinj dhe trajtimi i shtretërve të lumenjve, janë prioritetet që për vitin 2019 i ka Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Madje, për realizimin e këtyre projekteve, por edhe për mbrojtje të mjedisit e përmirësim të cilësisë së ajrit, kjo ministri ka planifikuar që të ndaj mbi 20 milionë euro.
Në një intervistë për KosovaPress, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bënë të ditur se si ministri do të investojnë në këto fusha, ku ai tha se i kanë edhe prioritete për vitin që kemi hyrë.
Matoshi deklaron se viti 2019 do të fillojë projekti më i madh në Kosovë, e që është ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës.
E pas kryeqytetit në planin e ministrisë është funksionalizimi i impiantit të ujërave të zeza në Prizren, ndërsa ndërtimi i tyre në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj.
Në vitin që e lamë pas, Ministria e Mjedisit ka bërë disa projekte sa i përket rregullimit të shtretërve të lumenjve. Megjithatë, vetë ministri Matoshi nuk është i kënaqur me punët që janë bërë.
Viti që e lamë pas është karakterizuar me ajër të ndotur, e për përmirësim të cilësisë së ajrit Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë disa hapa.
Fillimisht MMPH ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të ndalojë përdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse nëpër shkolla, të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe për Qeverinë e Kosovës që të ndalojë përdorimin e thëngjillit nëpër institucionet publike.
Madje kanë marrë vendim për ndalimin e shitjes së thëngjillit, ku ka ndërmarrë disa aksione për konfiskimin e thëngjillit që është shitur nëpër rrugë. Po ashtu, kanë kërkuar edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që KEK-u të ndalojë dhënien e thëngjillit si dhuratë për punëtorët.
Për përmirësim të cilësisë së ajrit Matoshi thotë se duhet të bëhet edhe shtimi i hapësirave gjelbëruese sidomos në kryeqytet.
Ndërkaq, sa i përket mbeturinave në vitin 2018 Ministria ka krijuar një task forcë për pastrimin e Kosovës. Nga ky aksion janë larguar më shumë se 700 deponi ilegale në të gjithë Kosovën.
Ai bënë të ditur se buxheti që mblidhet nga gjobat për ata që ndotin ambinetin shkon për komunat, e të cilat pastaj destinohen për projekte mjedisore.
Megjithatë, gjatë këtij projekti ministri Matoshi u shpreh se ka pasur raste ku në disa deponi që janë pastruar ka ekzistuar tendenca që të shndërrohen përsëri në deponi.
Ai bëri të ditur se kanë kërkuar nga kryetarët e komunave që të shtojnë aktivitetet e inspektorëve komunal nëpër ato vende ku qytetarët hedhin mbeturinat e tyre. Matoshi nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së kamerave nëpër disa pozicione që janë më të ndjeshme dhe në të cilat vazhdimisht njerëzit shkojnë dhe i hedhin mbeturinat e tyre.
I pari i Mjedisit ka deklaruar se nuk do të lejojnë krijim të deponive ilegale në të ardhmen, do të fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës së deponive legale, dhe se kanë kërkuar prej komunave që nuk kanë deponi legale të materialit ndërtimor që t’i përcaktojnë ato, në mënyrë që të dihet saktë brenda territorit të një komune se ku është deponia.
