Trashëgimia
Kështu iu ndërrua “fytyra” Kalasë së Prizrenit

Kalaja e Prizrenit i është nënshkruar konservimit në mënyrë që t’i rezistojë edhe më tej kohës.
Adaptimit i është nënshtruar qytetit mbi Kala, ndëryrje e cila është bërë me ametriale të rikthyeshme.
“Lokalitetet që i rezistojnë kohës, si Kalaja e Prizrenit, janë udhërrëfyes të udhëtimit të njeriut prej të kaluarës në të ardhmen. Në mënyrë që tregimi i tyre i shtegtimit nëpër kohë ta arrijë të ardhmen, lokalitetet si Kalaja kanë nevojë për ndihmën e njeriut që të marrin zë dhe të dëgjohen, por gjithnjë duke pasur kujdes në ruajtjen e historisë së tyre dhe në mundësimin e zbulimit të kapitujve të ri. Adaptimi i qytetit te epërm të Kalasë në një amfiteatër është bërë përmes materialeve të rikthyeshme siç janë druri dhe çeliku, si dhe natyra reverzibile e strukturës e bën të mundshëm largimin e këtyre materialeve kurdo që ka nevojë për gërmime të mëtutjeshme arkeologjike. Amfiteatri është ndërtuar në harmoni me relievin e terrenit në mënyrë që forma e tij dhe ulëset të përshtaten me hapësirën përreth”, bënë të ditur organizata CHwN Kosova, e cila ka bërë prezervimin e Kalasë.
Brenda Kalasë gjithashtu është futur edhe një komponentë e rëndësishme e quajtur “intepretimi” e cila ka për qëllim ta qartësojë marrëdhënien në mes vizitorëve dhe lokalitetit. Intepretimi i Kalasë është bërë përmes paneleve informuese dhe shtigjeve për ecje të cilat do t’i ndihmojnë vizitorët të shtegtojnë përgjatë historisë së kalasë. Tema mbi të cilën janë ndërtuar shtigjet e ecjes është “zbulimi i jetës në Kala”, ndërsa panelet informuese përgjatë rrugës tregojnë për funksionet dhe historinë që ka pasur Kalaja ndër vite.
Sipas organizatës CHwN, Kalaja e Prizrenit si e tillë do të përfaqesojë një koncept të ri të integruar të vlerave të trashëgimisë.
“Ky projekt padyshim që në të ardhmen do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit kulturor, do të krijojë mundësi për të gjeneruar të ardhura në mbështetje të ekonomisë vendore dhe do të jetë një hapësirë e re për aktivitete kulturore. Mbi të gjitha, Kalaja do të jetë një pikë e rëndësishme takimi me peisazhin e jashtëzakonshëm natyror të Prizrenit”, konsideron kjo organizatë.
Projekti i prezervimit të Kalasë së Prizrenit është implementuar nga CHwB Kosova e cila ka qenë përgjegjëse për interpretimin, adaptimin dhe planin e menaxhimit të hapësirës. Projekti ka filluar në vitin 2015 dhe ka zgjatur 36 muaj. I gjithë projekti është mbështetur nga qeveria amerikane.
