Aktuale
Kështu i kishte llogaritur 63 milionët “Bechtel & Enka”

Kompania “Bechtel & Enka” ka arritur që të marrë nga Qeveria e Kosovës hiç më pak se 53 milionë euro shtesë për punët që po i kryen në ndërtimin e autostradës për Shkup, “Arbën Xhaferi”. E, kjo kompani dikur pretendonte që të përfitonte 63 milionë.
Arsyeja e dhënë pse kjo kompani vazhdimisht e kërkonte këtë shumë është mos përmbushja e pagesave me kohë dhe zgjatja e kohës së përfundimit të punimeve.
Mirëpo, pak dihet se si i ka llogaritur kompania këto miliona. Për këtë, ministri Pal Lekaj kishte sqaruar në detaje për Ndërtimi.info, në një intervistë që do të transmetohet të dielën.
E para arsye është kjo: “E drejta për përshtatje të drejtë të çmimit kontraktues për shkak të zgjatjes së projektit, shpenzimet e rrjedhshme për shkak të zgjatjes indirekte të personelit menaxhues, të nevojshëm për administrimin e projektit janë kërkuar 16.8 milionë euro”, transmeton Ndertimi.info.
E dyta është: “Pajisjet – Bazuar në përditshmërinë e tyre, pajisjeve që nuk kanë funksionuar dhe kanë mbetur pa punuar, janë kërkuar 30.8 milionë euro”.
Ndërsa arsyeja e tretë është: “Shpenzimet e krijuara për shkak të humbjes së produktivitetit për vitin 2014; 2015; 2016, për shkak të zgjatjes së afatit të përfundimit janë kërkuar 10 milionë euro”
Ministri Lekaj, gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal tij është fakt i pamohueshëm që Qeveria e kaluar nuk i ka bërë pagesat e nevojshme sipas planit dhe kështu ka ardh deri te kjo çështje. Ai, ka theksuar se më 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, kurse janë paguar 55 milionë, në vitin 2015 nga 220 milionë janë paguar 112 milionë, ndërsa nga 205 milionë që është dashur të paguhen në vitin 2016 janë paguar vetëm 155 milionë.
Ndërsa, shuma e ndarë nga Qeveria e kosovës në vlerë 53 milionë euro është arritur pas negociatave që një Komision Ndërministrorë kishte filluar me kompaninë “Bechtel & Enka”, në muajin dhjetor.
