Connect with us

Aktuale

Kështu duket vila e “Habilajve” që akuzohen për trafikim me drogë

Published

on

 

Moisi, Lolo dhe Artan Habilaj janë emrat që krijuan një ciklon politik, më i madhi i viteve të fundit në Shqipëri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda po kërkon lidhjen e aktivitetit kriminal të tre banorëve të fshatit Babicë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Moisiu u arrestua në Itali me akuzën e trafikut të hashashit. Me vëllezërit e tij, ai është përgjuar duke folur për tonelata hashashi që dërgonin drejt Siçilisë. Lolo, Floriani dhe vëllai i madh Artani janë zhdukur sepse kërkohen nga policia.

Habilajt gjithçka e kanë nisur në fshatin Babicë me 100 familje. Fshati ndodhet 20 kilometra larg Vlorës, mes kodrave dhe në anë të një liqeni të vogël artificial.

Në këtë fshat të gjithë njihen me njëri-tjetrin apo kanë lidhje farefisnore, por jo të gjithë duan të flasin për Habilajt pas famës që fituan.

“Nuk i njohim, nuk jemi nga këtu fare”, thonë dy gra.

Babica është e rrethuar nga ullinjtë dhe disa kopshte të vogla. Rrugët janë të dëmtuara dhe të vjetra, ashtu si shumica e mureve rrethuese të oborreve të shtëpive. Banorët kanë lidhje miqësie dhe i pari që gjejmë është vjehrri i Moisi Habilajt.

“Krushk e kam, vajzën e kam dhënë tek Moisi Habilaj. Për mua, nuk ka bërë gjë. Për mendimin tim që e kam dhëndër, e kam djalë, i pafajshëm është, as ka vrarë dhe as ka prerë”, thotë Lavdosh Mezurai.

I moshuari invalid thotë se dhëndri, Moisiu, nuk ka bërë asnjë krim, nuk ka vjedhur dhe nuk ka vrarë askënd, por ka punuar dhe siç thotë vetë, ka shitur disa kilogramë ilaçe në Itali.
“Ai s’ka vajtur për të vjedhur, ai ka vajtur për të ushqyer kalamajtë, siç venë gjithë bota që merret me ato pisllëqe. Ku e dinte ajo? S’e dinte fare çupa ime. Unë ushqehem vetë. Ja, vajta dy vjet xhaxhi kështu (teksa tregon këmbën e çalë), unë punoj vetë”, shton vjehrri i Moisiut.

Lavdoshi na shoqëron për të na treguar shtëpitë e Habilajve, por nuk është aspak e vështirë të gjenden. Habilajve duket se ju ka ecur, të paktën deri para disa javëve. Porta me hekur të punuar me thurje është hyrja në oborrin ku ndodhen dy vila të reja dhe shtëpia e vjetër ku jetonin një pjesë të kohës njerëzit më të kërkuar aktualisht në Itali dhe në Shqipëri. Vilat e Habilajve janë të rrethuara në një anë me mure dhe janë të vetmet në fshat me ndriçim vertikal. 10 kamera sigurie kanë vënë vëllezërit Habilaj në vilat e tyre dhe me to kontrollonin çdo lëvizje në rrugët rreth vilave. Ata akuzohen se kanë trafikuar 3.5 tonë hashash drejt Italisë, por nëna e tyre Zenepja na tregon se për një dekadë kanë punuar me një tjetër bimë jeshile.

“Djemtë e mi, në radhë të parë, janë të pafajshëm dhe të tëra i kanë me djersën e ballit. 10 vjet në det ata me maune, perime , fruta, të gjitha… Unë vetë si Zenepe, bashkë me burrin tim, kam punuar 10 vjet me dy serra, edhe me dy dylym bizele që ma di fshati. Kam punuar bashkë me djemtë. Djemtë të tre kishin firmën e tyre dhe unë me burrin punoja në dy serra. Unë kaq di për ta”, thotë nëna.

Ditën kur djali i saj Mosiu u arrestua në Itali, gruaja 69-vjeçare ndodhej në Greqi: “Unë faktikisht isha në Greqi, kisha tre javë, isha e sëmurë. Kur ka ndodhur kjo punë, nuk kam qenë këtu. Kur erdha, më thanë kështu-kështu. Për mua si nënë, ata janë të pafajshëm. Me mua kanë jetuar këtu. Tërë ditën gërryej dhe ja, e heq stresin vetëm me punë. Për mua është një e pavërtetë sepse hahen qeveritë me njëra-tjetrën nuk më intereson fare. Zihen për karrike ata, nuk zihen për mua”.

Por, a e njeh ajo ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin?

“Unë nuk e njoh . Gjyshja ime e ka një kushëri të largët fare. Nuk e kam takuar kurrë, të betohem. Ka Zot. Unë si Zenepe nuk e njoh”, thotë nëna e Habilajve.

Telefoni i saj nuk resht së rëni, pak minuta pasi kamera jonë kaloi para syve kureshtarë pas dyerve në shtëpitë e fshatit Babicë. Nëna e Habilajve e ka një shpjegim se përse djemtë e saj janë përfshirë në këtë histori: “Një të do, 100 s’të duan. Do jetë ndonjë dhe kot ka folur për mendimin tim ai që ka spiunuar a ça ka bërë. Drejtësia do vejë patjetër në vend”.

Zenepja ngulmon duke thënë se djemtë e saj kanë punuar me fruta-perime dhe na tregon serrat edhe kopshtin ku nisi gjithçka.

Shtëpitë që vëllezërit Habilaj kanë ndërtuar tregojnë se janë ndër më të pasurit e fshatit. Për pasuritë e tyre është nusja e vëllait të madh ajo që e ka një shpjegim. Tina Habilaj i bashkohet vjehrrës së saj me dhjetra dosje e dokumenta. Ajo thotë se burri, Artani, i cili është në kërkim, është i pafajshëm. Dokumentet e kredive bankare deri në 800 milionë lekë janë për Tinën argumenti se tre vëllezërit, banorë të fshatit të vogël Babicë, pasurinë e tyre e kanë brenda ligjeve.

“Këto janë kreditë që ne kemi marrë ndër vite. Kjo është një kredi prej 5 milionë lekësh të reja. Kjo është e pesta kredi që kemi marrë për karburantin që shkojnë tek 700-800 milionë lekë”, thotë nusja.

Habilajt kanë ndërtuar një pikë shitje të karburanteve në anë të rrugës së re transballkanike. Ata kanë edhe disa prona të tjera, si një lokal.

“Kredia e fundit është marrë në muajin korrik 2017. Është marrë në emrin e Florianit, janë 110 mijë euro kredi. Kreditë janë përdorur për karburantin, për lokalin, për gjëra që ne kemi. Nga momenti që ti merr një biznes, edhe do ta rregullosh se nuk mund të punohet biznesi. Kjo është kredia tjetër. Kjo marrje huaje në vitin 2012 prej 135 mijë eurosh. Kredi kam marrë për arsye të punës”, thotë Tina Habilaj.

Enver Gjoni është fqinj me Habilajt dhe është rritur me ta, veçanërisht është shumë i lidhur me Lolon. Florian Habilaj është në kërkim ndërkombëtar dhe për prokurorët shqiptarë ai është njeriu që di emrin e shefit të madh, të cilin e përmend në përgjimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë së Katanias. Lolo, thotë Enveri, ka punuar që i vogël duke blerë ullinj në bregdet, e më pas i shiste.

Enveri nuk beson se shokët e tij të fëmijërisë të jenë marrë me punë të pista. Për këtë thotë se është i bindur: “I kam vëllezër, i kam fshatarë, gjiton. Lajmin e kam marrë pas 3 ditësh, nga televizori më saktë. Mendimi im? Është një fatkeqësi ça dëgjova në media dhe habitem. Unë duhet të isha në gjendje më të mirë, po të ishin në ato kushte ata siç thotë media. Po të kishin aq, edhe unë do isha më mirë. Shumë shpejt, shumë shpejt do të dalë e vërteta”.

Në fshat askush nuk e thotë fjalën hashash dhe banorët e tjerë jashtë kameras janë gati të betohen se vëllezërit Habilaj i kanë parë vetëm me arka me fruta-perime. Sipas tyre, i sillinin nga Italia dhe ata i shisnin në treg, ja shisnin edhe hoteleve në bregdet. Për ta, Habilajt janë fqinjë të mirë që i kanë ndihmuar në ditë të vështira. Pas arrestimit të Moisiut, policia e rrethoi fshatin dhe kontrolloi jo vetëm shtëpitë e vëllezërve të famshëm, por edhe të miqve të tyre. Në anën tjetër të liqenit të vogël, përballë vilave të Habilajve, policia gjeti në një vilë dykatëshe 4 tonë hashash dhe një person u arrestua. Ai zyrtarisht për policinë ishte bashkëpunëtori i vëllezërve Habilaj dhe në shtëpi mbante hashashin e grumbulluar nga ai që Prokuroria e Katanias e quan grup i organizuar i trafikut të lëndëve narkotike dhe armëve.

Nëse drejtësia provon që Habilajt janë vërtet një nga familjet më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të hashashit, për këtë mund të kenë dy prova shtesë në fshatin e tyre të lindjes. E para, janë shtëpitë e tyre që shkëlqejnë mbi varfërinë e kasolleve të bashkëfshatarëve, që ashtu si në qytezat e vogla të familjeve mafioze refuzojnë të mohojnë bamirësinë e bosëve. Por, prova më e fortë është se fshati i vëllezërve më të kërkuar sot në Shqipëri e Itali, për trafik të hashashit, e kanë lënë jashtë vendlindjen nga gjethja e gjelbër e kanabisit. Këtu mund të gjesh gjithçka, nga perimet e deri te ullinjtë dhe jo hashash. Por, gjurmët e parave që kanë fituar prej tij ama, janë mëse të dukshme.

 

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending