Aktuale
Kështu duket me fasadë super-aeroporti kinez “Daxing”

Foto e realizuar nga lartësia tregon pamjet e aeroportit ndërkombëtar të Pekinit, “Daxing”, i cili ësht ënë ndërtim e sipër. Projekti i dekorimit të fasadës ka përfunduar para pak ditësh teksa testimi i aeroportit do të bëhet në shtator të vitit të ardhshëm, kur edhe pritet të hapet zyrtarisht.
Në pamjet e siguruara nga një medium lokal kinez, shihet aeroporti në kryeqytetin e Kinës nga një tjetër dimension.
Struktura e gjerë, e përcaktuar nga pesë gjymtyrë që shtrihen nga një bërthamë qendrore, do të mbulojë një sipërfaqe prej 313,000 metrash katrorë. Është raportuar se çdo “krah” do të përdorë imazhe nga kultura kineze, duke përfshirë “mëndafshin, çajin, porcelanin, tokat bujqësore dhe kopshtet kineze”.
Sipas projektuesve ADPI në bashkëpunim me firmën “Zaha Hadid Architects” distancat nga fundi i secilit krah në ndërtesën qendrore “do të jenë më të ulëta se 600 metra” – një dizajn që do të dallojë aeroportin nga aeroportet më të mëdha ndërkombëtare “, që në mënyrë të pashmangshme kërkojnë udhëtarët të ecin distanca të gjata”, argumentuan ata.
Aeroporti, i cili ndodhet 46 kilometra në jug të qendrës së qytetit të Pekinit, do të lehtësojë presionin nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit i mbushur me njerëz, i cili ndodhet në rrethinat verilindore.
Me katër pista, aeroporti është projektuar për të zënë një kapacitet prej 72 milion pasagjerësh dhe 2 milion ton ngarkesash ajrore çdo vit deri në 2025, duke arritur në 620,000 fluturime. Aeroporti është vendosur të hapet në vitin 2019./Ndërtimi.info/
