Aktuale
Këshilltarët kontestojnë cilësinë e punimeve në infrastrukturë në Viti
Këshilltarët komunalë të Vitisë kanë shprehur shqetësimet e tyre në seancën e Kuvendit Komunal rreth punimeve, të cilat po realizohen në këtë komunë në infrastrukturën rrugore. Ata kanë vlerësuar se shumë projekte nuk po monitorohen nga Komuna, shkruan sot Koha Ditore.
Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jakup Demiri, ka kërkuar nga Komuna sqarim për dy rrugë në qytet, të cilat nuk janë punuar sipas standardeve.
“Në pranverë të këtij viti janë asfaltuar dy rrugë për të cilat Komuna pajtohet që punimet në rrugë nuk janë brenda standardeve. Është rruga nga xhamia që vazhdon kah ETC-ja për në Gjilan. Rruga Viti nga xhamia për Gjilan është riasfaltuar, kurse në rrugën e Pozheranit nuk është riasfaltuar. A ka pranim teknik për këto rrugë ngase Komuna ka deklaruar se ka një marrëveshje me kompaninë dhe është zotim që dy rrugët do të riasfaltohen, ngase punimet nuk janë kryer sipas standardeve”, ka thënë ai.
Kurse këshilltari komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Haxhiu, ka shprehur shqetësimin për punët të cilat janë zhvilluar në rrugën e fshatit Novosellë.
“Kam një shqetësim për fshatin Novosellë tek rruga e Bregut dhe aty para 8 muajve është asfaltuar rruga dhe tani ka dalë bari. Unë distribuoj çokollata dhe çokollata të cilat i distribuoj kanë afat 1 vit, kurse asfalti i Sokolit 8 muaj. Është mirë atë moment që realizohen punime në asfalt të bëhen më mirë”, ka thënë Haxhiu.