Aktuale
Këshilltarët kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për pronat e uzurpuara në Pejë

Këshilltarë të pesë subjekteve politike në Pejë kanë kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për pronat e uzurpuara.
“Qyteti i Pejës që nga paslufta po ballafaqohet me problemin e uzurpimit dhe shfrytëzimit joligjor të pronave publike në të gjithë territorin e Komunës së Pejës, e në veçanti në zonën e qendrës së qytetit. Ka ardhur koha që një dukuri e tillë të ndalohet, pengohet dhe dënohet. Andaj kërkojmë të caktohet një seancë e jashtëzakonshme, për të diskutuar këtë çështje dhe nga kryetari i Komunës të kërkohet që t’i përmbushë autorizimet, kompetencat dhe përgjegjësitë e tij, dhe të fillojë rikthimi i pronave të uzurpuara komunale, të shfrytëzuara dhe të tjetërsuara kundërligjshëm duke filluar nga qendra e qytetit…”, thuhet ndër të tjera në kërkesën që ia kanë dorëzuar kryesuesit të Kuvendit Komunal të Pejës, këshilltari i subjektit Nisma Socialdemokrate në Pejë, Gezon Berisha dhe këshilltari i Alternativës Reshat Nurboja, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për pronat publike të uzurpuara nga personat dhe bizneset e ndryshme, me theks të veçantë në qendër të qytetit.
Fillimisht, siç tregoi për KD-në këshilltari i Nismës Gezon Berisha, ka qenë iniciativë e tij, të cilën e ka pëlqyer edhe këshilltari i Alternativës, Reshat Nurboja. Sipas Berishës, të dytë bashkërisht kanë biseduar për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme për uzurpimet e pronës publike në sheshin e qytetit nga kompanitë dhe bizneset e ndryshme, pastaj nga biznesi me makina-lodra të fëmijëve në qendër të qytetit që disa vite më radhë, por edhe për të gjitha pronat e tjera publike që janë të uzurpuara.
