Aktuale
Këshilli për Trashëgimi Kulturore reagon për dëmtimet e “Kalasë së Novobërdës – Artanës”

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë pas dëmtimeve të fundit në “Kalanë e Novobërdës – Artanës”, pjesë e listës së përkohshme, si aset i trashëgimisë kulturore me zonë të veçantë të mbrojtur.
Përmes një komunikate thotë se shkatërrimi dhe dëmtimi i këtij aseti ka një histori të gjatë, për të cilën KKTK ka raportuar dhe reaguar në vazhdimësi.
“Në kuadër të raportit për gjendjen e trashëgimisë kulturore që KKTK ka prezantuar në dhjetor të vitit 2018, projekti i “Kalasë së Novobërdës – Artanës”, është pasqyruar si rast që ka tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, dhe gjendja e saj pas intervenimeve mbetet e keqe, me çarje muresh dhe dëmtime të tjera strukturale.As ky projekt sikurse projektet e tjera nuk është dorëzuar për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore siç parashihet me nenin 5.2 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, thotë komunikata.
KKTK thekson se deri me tani nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush e ka vlerësuar këtë projekt, kush ka qenë institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve dhe kush ka bërë pranimin e punimeve, që tanimë është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të rrënohet.
“Kompania “Koto” nga Serbia që ka kryer punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e licencuar, siç e parasheh neni 4.16. i Ligjit për Trashëgimi Kulturore.Neglizhenca e institucioneve, mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies janë disa nga faktorët kryesor që po çojnë në shkatërrimin dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore”.
“Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore u ofron bashkëpunim të të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe palëve të interesit për ruajtjen e saj. Prandaj, kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës, dhe që ndaj personave përgjegjës të iniciohen procedurat e parapara ligjore”, përfundon njoftimi./Telegrafi/
