Prokuroria Themelore në Prizren me datë 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Marrë parasysh mungesën e vullnetit individual të tre drejtorëve komunalë të cilët kanë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile, kërkojnë nga Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij ose kërkimin e dorëheqjes së tyre.
Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile kujtojnë se premtimet elektorale të z.Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Pasi që në rastin e drejtorit të drejtorisë për ekonomi dhe financa është zbatuar praktika e dorëheqjes, kërkojmë që edhe në këtë rast tre drejtorët komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të dorëhiqen ose të shkarkohen nga postet e tyre deri në vendimin e Gjykatës.
Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile konsiderojnë se ndërmarrja e veprimeve konkrete për dorëheqje ose shkarkim të udhëheqësve të drejtorive komunale në rastet e ngritjes së aktakuzave, do të tregonte vullnetin e sinqertë në përmbushjen e premtimeve për rritjen e standardeve dhe ndryshimin e praktikave për të siguruar institucione me kredibilitet. Në të kundërtën, vazhdimi i punës në ushtrimin e funksioneve të larta publike të zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtarë, do të ulë besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe do të shërbejë si një praktikë jo e mirë në arsyetimin e veprimeve pranë organeve të drejtësisë.
“Sipas aktakuzës, me datë 18.03.2019, në Prizren, të pandehurit L.K., kryetar i komisionit, F.K., – zëvendës kryetar i komisionit, R.Sh., A.Sh., dhe G.B., anëtarë të komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, në atë mënyrë që me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik përkatësisht Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, ku theksohet se procedurat për Dhënien në Shfrytëzim afatshkurtër të pronës së Komunës bëhen përmes Procedurave të Ankandit Publik, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar”, thuhej në raport për ngritje të aktakuzës.
Sipas prokurorisë, komisioni në fjalë ka favorizuar ofertuesen F.B., në dëm të të dëmtuarit A.D., i cili nuk përzgjidhet si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë, gjegjësisht në shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin e evidentuar me nr. 29 i cili gjendet në sheshin Shatërvan në Prizren.