Featured
Kërkohet përshpejtimi i punimeve në magjistralen Vushtrri – Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka takuar përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Drejtorinë Rajonale të Trafikut të Policisë së Kosovës dhe punëkryesin lidhur me sigurinë në komunikacionin rrugor në magjistralen Mitrovicë-Vushtrri-Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Ishte konstatim i përbashkët që siguria e njerëzve dhe makinave në këtë aks rrugor është rrezikuar si pasojë e vonesave nga Ministria e Infrastrukturës për përfundimin e projektit për asfaltimin e segmentit rrugor nga udhëkryqi i rrugës “2 maji” me rrugën “Ana Lin” deri në kryqëzim të kësaj rruge me rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri.
Tahiri i ka dërguar letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit ku ka kërkuar përshpejtim të punëve për përfundimin e projektit në fjalë duke siguruar paraprakisht vendosjen e sinjalizimit së përkohshme në vendet në të cilat bëhen kyçjet nga hyrje daljet anësore në rrugën kryesore apo edhe të mbyllen tërësisht disa vend kyçje, me qëllim të shmangieve të rrezikut nga aksidentet e mundshme në komunikacion, varësisht nga vlerësimi i ekspertëve të kësaj fushe.