Featured
Kërkesa për banesa, në rritje të qëndrueshme edhe për 20 vjet
Fatmir Bektashi, presidenti i kompanisë Kontakt sh.p.k., një ndër më të mëdhatë në fushën e ndërtimit rezidencial dhe me zgjerim të shpejtë së fundmi është i bindur se kërkesa për ndërtesa rezidenciale do të jetë e fortë.
Ai shton se sot blerësit janë kërkues dhe nuk blejnë më kuturu si dikur, por preferojnë zona me infrastrukturë mbështetëse të tilla si rrjet kanalizimesh, rrugë dhe ambiente sociale.
Zoti Bektashi, vitet e fundit, kompania Kontakt është zgjeruar shumë në sektorin e banesave, sidomos në Tiranë. A jeni i sigurt se kërkesa do të jetë e qëndrueshme duke marrë në konsideratë zhvillimet demografike në vend?
Në pyetjen tuaj ka diçka të drejtë, por nuk është plotësisht kështu. Është e vërtetë se në Tiranë ka një stok ndërtesash të pashitura, por kjo gjendje nuk është si pasojë e ofertës, por problematikës që mbartin këto objekte. Këto ndërtime në të shumtën e tyre janë të paligjshme, d.m.th. janë ndërtuar pa leje, ndërsa kanë një cilësi mjaft të dobët të strukturës. Nuk janë të shoqëruara me infrastrukturë mbështetëse të tilla si rrjet kanalizimesh, rrugë dhe ambiente sociale.
Nga ana tjetër, Tirana po rritet në mënyrë të vrullshme. Mbi 20 mijë banorë të rinj i shtohen kryeqytetit çdo vit. Një pjesë e të cilëve vijnë nga rrethet për të jetuar këtu dhe pjesa tjetër është shtesa natyrore e kryeqytetit. Nisur nga këto zhvillime mendoj se kompania Kontakt mbulon vetëm një pjesë të vogël të kërkesës për banesa në Tiranë. Në kontekst gjykoj se Tirana ka hapësira të mëdha për ndërtim në sektorin e banesave për rezidentët.
Investimet tuaja janë blloqe të mëdha banesash. Për cilin segment të shoqërisë ndërtoni?
Kontakt ka një filozofi krejt të re të ofertës që kombinon cilësinë me çmimin. Cilësia e strukturës merr shumë vëmendje duke përfshirë të gjithë elementet e standardit, që nga termoizolimi, hidroizolimi etj., që e bëjnë një banesë komforte dhe eficiente në përdorimin e energjisë dhe nga ana termike. Gjithashtu banesat tona janë miqësore me ambientin. Ka një kombinim të mirë të hapësirës me ndërtimin e objektit. Ambientet sociale janë të azhurnuara me hapësira për fëmijët, moshat më të vjetra dhe gjithashtu kompania nxit gjelbërimin ndërmjet duke mbjellë pemë dhe duke rritur perime në tokën përreth. Gjithashtu ne marrin në konsideratë edhe lartësinë për të cilën tentojmë gjithmonë më pak se 12 kate.
Duke ndërtuar në këtë mënyrë, ne plotësojmë kërkesën që ka shtresa e mesme. Ata që punojnë në shtet ose ata që kanë një punë të qëndrueshme në privat janë blerësit tanë, të cilët janë të aftë të përballojnë një çmim nga 750-800 metër katrorë. Shtresa e mesme në kryeqytet ka avancuar kërkesat e saj dhe preferon të blejë në zona të organizuara banesash, ku hapësirat sociale dhe njësitë e shërbimit të jenë të kombinuara.
Unë i kam konceptuar investimet e mia si një mundësi ku, fëmijët, prindërit dhe gjyshërit të kenë mundësi të kalojnë një orë në ditë së bashku në ambientet tona. Tani kërkesa nuk po orientohet vetëm në ato pak metra katrorë që banesa ka brenda, por blerësit, sidomos shtresa e mesme, gjithnjë e më shumë po orientohen nga komoditeti që krijon ambienti i jashtëm ku ata banojnë.
Ekonomistë dhe analistë të sektorit pohojnë se ka një mbiofertë në banesa dhe kjo është me rrezik për kompanitë e fushës. Si mendoni ju?
Unë do të jap vlerësimin tim vetëm për sektorin rezidencial, pasi nuk e njoh tregun e ndërtesave komerciale dhe atyre të luksit. Shoh një perspektivë të mirë në sektorin e banesave, sidomos në Tiranë, për disa arsye. Tirana është kryeqytet i 10 milionë shqiptarëve. Me këtë dua të them se të gjithë bashkëkombësit tanë në Kosovë dhe Maqedoni e shohin Tiranën si një bazë për vete apo fëmijët e tyre. Shqiptarët e trojeve tona gjithnjë e më shumë po zgjedhin Tiranën të arsimohen dhe më pas ata vendosin të kenë edhe një rezidencë në Tiranë.
Po ashtu të gjithë emigrantët shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë të shumtë në numër, në planet e tyre përfshihet edhe një apartament në Tiranë. Gjithashtu, migrimi i brendshëm dhe tendenca për të investuar kursimet në shtëpi të dytë apo të tretë do të mbajnë kërkesën për banesa në Tiranë të lartë edhe për 20 vitet në vijim. Në këtë kontekst, Tirana do të zgjerohet nga ana e detit dhe në perspektivë, Tirana dhe Durrësi do të bashkohen në Rajonin Durana, duke krijuar edhe përqendrimin e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik të vendit.
Nga këndvështrimi juaj, si e shihni zgjerimin vertikalisht të Tiranës me kulla shumëkatëshe. Si do të jetë kërkesa për to?
Nuk kam njohuri të hollësishme për tregun e banesave të luksit, por mund të jap disa gjykime për strukturën e tyre. Së pari, nuk kemi kompani që kanë përvojë në ndërtimin e objekteve me mbi 30 kate. Mungesa e përvojës në këtë drejtim mund të sjellë probleme në cilësi. Nga ana tjetër, nuk e shoh shumë komode të kesh një banesë në katin e 45-të të një objekti. Pasi në rast erërash të forta ka lëkundje 5-15 metër dhe kjo e bën stresuese qëndrimin në to.
A mendoni ju se burimet e paligjshme të të ardhurave janë duke financuar një pjesë të ofertës dhe kërkesës në ndërtim?
E konsideroj luks të diskutoj për këtë çështje në Shqipëri, kur mendoj se si janë krijuar dhe ndërtuar kryeqendrat e botës, ato që ne i njohim sot si Londra, Parisi dhe mbarë Italia. Shqiptarët janë një popull i mirë që pasurinë e tyre nuk e kanë krijuar duke grabitur e duke luftuar me kombet e tjera më të dobëta. Në këtë këndvështrim, askënd të mos e vrasë ndërgjegjja nga e paligjshmja e Shqipërisë.