Connect with us

Aktuale

Kepi i Rodonit, “arratisja e fundme” e Skënderbeut

Published

on

Nëse nuk e keni parë ende, pas pak kohësh me siguri do fillojë të popullohet, e kësaj radhe si asnjëherë më parë. Është kjo magji e ndodhur përgjatë detit Adriatik, pothuajse një orë e 10 minuta me makinë, por në një rrugë tejet të dëmtuar përgjatë këtij viti, si shkak i makinerive të mëdha të ndërtimit, “për ëndrrën shqiptare”…të betonizimit!

Kepi i Rodonit, apo ky gadishull mjaft tërheqës, ndodhet pothuajse 20 minuta me makinë nga Gjiri i Lalëzit, një nga pikat më të frekuentuara, pranë qytetit të Durrësit. Ajo, e cila do t’i bënte përshtypje çdo vizitori është postblloku që ndodhet në hyrje të këtij parku ku i paguhet privatisht Kishës Françeskane, e më tej pas disa minutash, ndërsa ke hyrë në pjesën e Kepit, sheh shirita të shumtë, të cilët kanë rrethuar vendin… Për gjithë ata që mendojnë të bëjnë piknik në këtë vend, është e këshillueshme që të kenë furnizime me ujë të pijshëm, pasi përveç detit, diellit dhe disa peizazheve mahnitëse, i vetmi burim “i pijshëm” i ujit është me ujë të ngrohtë dhe era ndryshk, – një burim i thellësive i hapur përballë kishës, sipas të gjitha gjasave gjatë kohës së funksionimit së repartit ushtarak të baterive bregdetare të vendosura në Kepin e Rodonit, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Kepi i Rodonit për vizitorët

Kepi i Rodonit apo siç njihet ndryshe si Muzhili i Skënderbeut është një nga stacionet më të bukura turistike e historike të Shqipërisë. Emri Rodon vjen Perëndia e detit ilire: Redon. Kisha e Shën Ndout e kalaja bregdetare e Skënderbeut e ndërtuar në rast tërheqjeje të Skënderbeut drejt Venedikut, janë dy nga vendet më të spikatura e të pëlqyera nga vizitorët vendës e të huaj, përpos faunës e gjelbërimit që të ofron ky kep, por sakaq, edhe bregut të ndotur (pranë Kalasë) nga mbetjet e ardhura nga lumi Ishëm. Në brendësi të kishës së ndodhur atje, – një ndërtim i hershëm që i përket shekullit të XIII-të dhe funksional përgjatë kohës së Skënderbeut, – gjendet edhe flamuri origjinal i pikturuar në muret e saj, përpos “shkarravinave” të tjera në mure, “të ideuar” që nga koha e “sundimit komunist” nga ish-ushtarët e repartit të baterisë bregdetare, të stacionuar shumë pranë këtij vendi. Kostantin Jirecek, në studimin e tij: “Zona dhe e kaluara e qytetit të Durrësit në Shqipëri” (“Die lage und vergangenheit der stadt Durazzo in Albanien”, në Illyrisch-Albanische Forschungen), përshkruan Kepin e Rodonit, si një varg kodrinash të larta 200-300 metra.

Sipas tij, gjatë mesjetës, jo vetëm territori i Bishtit të Muzhlit, por tërë zona, nga lumi Ishëm dhe Erzen, quhej: Rodon. Ai na ka rrëfyer gjithashtu se kisha si dhe kuvendi (sot rrënoja), pranë saj, dokumentohen në territorin e Topiajve deri në shekullin e XVII-të. Ndërsa për fortesën, sot e quajtur kështjellë, Skënderbeu pasi filloi ndërtimin në 1450-1452, ku përgjatë vitit 1455, u këshillua prej raguzanëve që të mos shkonte më “tej për të ndërtuar një kështjellë më të madhe të fortifikuar”, ndërsa heroi ynë kombëtar sërish diskutonte në 1467-ën me Republikën veneciane, projektin e vjetër të lënë pas dore, “Instauratio loci Rhodonorum”.

Kisha e Shën Ndout

Monumenti i kultit paraqet vlera të veçanta, pasi është e rrallë e këtij lloji, e një arkitekture monumentale romaniko-gotike, e shekullit të XIII-të, si dhe lidhjes së saj me një nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë. Pas rindërtimit të saj, vite më parë, mund të shihen qartë, një kalorës mbi kalë e një shqiponjë dykrenore, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve të kësaj kishe të lashtë, ka gjurmë të tjera afresku. Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët e vizitorët vendës, ku kjo kishë dhe zonat përreth konsiderohen si një vend i shenjtë e çdo datë 13 qershor të çdo viti, bëhet vend pelegrinazhi e feste ku vijnë, veç banorëve të zonave përreth, edhe turistë të shumtë. Ajo në mesjetë, njihej ndryshe edhe me emrin Bishti i Muzhlit, pronë e princave Topiaj, zotëve të pothuajse gjysmës së Arbërisë, qendra e së cilëve përkon sot me qytetin e Durrësit.

Historiani Marin Barleti shkruan në “Historia de vita et gestis Scandebegi”, që Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti (1403-1468), nga një betejë te tjetra, shkonte të pushonte e të gjuante, në Bisht’ të Muzhlit. Shumë syresh rrëfejnë se e motra, Mamica, kaloi vitet e saj të fundit në kështjellën afër kishës. Një dokument i Raguzës, i vitit 1324, përmendet kisha e “S. Nastasiam a li Rodoni” (“Acta e diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I, n. 694). Sërish, më vonë, kjo kishë përmendet në një dokument të Republikës së Raguzës i vitit 1335, ku flitet për “Sancte Nastasie deli Aradon” (Acta, I, n. 788). Kuvendi, pranë kishës, sipas Jirecek-ut, u njoh me emrin “Sancta Maria de Rodoni”, ndërsa për kishën ai citon në një dokument të vitit 1418 ku thotë se: “Është një kishë e hijshme dhe e zbukuruar” (Que erat pulcra eçlesia et bene adornata).

Prej dokumenteve mesjetare, kisha iu kushtua Shën Anastasisë, e më tej u kaloi murgeshave larise dhe pa një datë të saktë, Urdhrit të Shën Françeskut, së pari, me emrin e Kishës së Shën Marisë e më tej me emrin e Kishës së Shna Ndout. Sipas dorëshkrimit, “Storia dei frati minori, vol. I”, Skënderbeu duke ia dhuruar fretërve kishën e kuvendin, donte t’u shprehte atyre mirënjohjen e vullnetit të mirë të Shën Gjonit prej Kapestranit, i cili kishte bërë një punë të madhe duke mbledhur ndihma e forca për të luftuar hordhitë osmane. Kuvendet françeskane në Shqipëri deri në vitin 1402 i përkisnin Raguzës, e cila u kthye më vonë në “custodia Duracensis”, e pas pushtimit osman në “custodia Albaniae”(1585).

Në vitin 1402, “custodia Duracensis”, kishte 4 kuvende në qytetet e Durrësit, Ulqinit, Shkodrës dhe Tivarit, ndërsa “custodia Albaniae”, kishte 5 kuvende e 40 fretër, e ndër ta, njihej edhe Kuvendi i Bishtit të Muzhlit… Kuvendi mbeti selí e “kustodies” (Mbikëqyrjes) deri në vitin 1737, kur u mbyll prej turqve, për t’u rihapur rishtas në vitin 1758. Kuvendi i Rodonit u restaurua në fillim të shekullit të XIX-të prej Imzot Rafael Barissi-it, ipeshkv i Lezhës, i cili gjithashtu u varros në hollin kryesor të kishës. Për herë të fundit kisha u restaurua pas tërmetit të vitit 1852. Konsulli, J. G. von Hahn, në “Albanesische Studien” (1854) përshkruan gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendej kisha, pas tërmetit. Por edhe gjatë shekullit të kaluar, fatkeqësitë për këtë kishë, kushtuar Shenjtit të Padovës nuk ndaluan… Regjimi komunist thuhet se donte të hidhte në erë kishën për t’u bërë vend disa veprave të xhenios ushtarake, por sipas zërave, ndodhi një e papritur: xhenierëve u shpërtheu dinamiti para kohe dhe u plagosën disa syresh, ndonëse monumenti i kultit mesjetar u dëmtua seriozisht.

Pas vitit 1990, u desh’ vullnesa e fortë e fratit shqiptar, At Zef Pllumit, i cili me pasionin rrëmues të historianit erudit kërkoi e gjeti dokumentet në kadastrat përkatëse për të provuar përkatësinë e terrenit, e me ato pak mundësi, nisi punimet restauruese. Muret e kishës sot janë deri në 16 metra të larta, e punimet e nisura vite më parë nxorën në dritë një afresk, ku shihet figura e një vajze të re mbi kalë, e një shqiponjë dykrenore. Për t’iu rikthyer edhe njëherë historisë, konsulli austriak Th. von Ippen, që në vitin 1901 publikoi mbishkrimet në gjuhën greke, që ishin gjetur në kishën e Shna Ndout, e po ashtu edhe Jirecek, duke dëshmuar se në fund të shekullit të XIX-të, dukshin mjaft qartë detajet e kësaj kishe të stilit romanik e hijeshuar me afreske. Hipotezat, thonë se afresku i zbuluar i përket Shën Anastasisë, së cilës i dedikohej fillimisht kisha, por gjithashtu edhe hipoteza që thonë se aty mund të jetë vetë e motra e Gjergj Kastriotit, Mamica, e cila duket se përveçse se bamirëse e Kuvendit dhe e Kishës, ishte edhe “fqinjë” e tyre, në kështjellën, aty afër.

Kalaja dhe miti

Përmes një shtegu të ngushtë tashmë, në të majtë të rrugës që të çon për te Kisha (apo përmes bregut nga ana e kishës), ndodhet Kalaja e Rodonit, pikërisht, në kepin me të njëjtin emër. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu pati si synim daljen në det drejt aleatëve të tij në rast pushtimi, duke ngritur këtu një fortesë (më vonë u emërtua, kështjellë/kala).

Kjo kala filloi të ngrihej pas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450, ndërsa përfundimi i saj mendohet sipas të gjitha studimeve të bëra, rreth vitit 1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Për këtë qëllim më 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë, midis Ambasadorit të Skënderbeut, Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu u kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462, ku Raguza, në rast lufte do t’i vinte në shërbim Skënderbeut limanet dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Muri i kështjellës së Rodonit arrinte një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakëta. Në vitin 1500, kalaja u pushtua nga venedikasit, ndërsa gjatë shekujve, si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Interesante është se edhe sot shihen në rrënojat e tyre frëngjitë e topave të dikurshëm. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit (për të cilën dihet shumë pak), të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë, ashtu si ato që nuk dihen ende edhe sot, si manastiri i Shën Kollit dhe Shën Mërisë.

Perëndia e detit ilir Redon

Redoni, sipas mitologjisë ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i grekëve apo Neptuni i romakëve. Për një kohë të gjatë, studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit, e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.
Sipas këtij të fundit, Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit ilir (M. Zeqo, Motive arkeologjike fq.146-150, Tiranë 1990). Ai ka qenë i vlerësuar nga ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent (M. Zeqo. Panteoni Ilir).
Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejt që Kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redon. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit ilir të deteve./GazetaSi

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending