Aktuale
KEDS’it i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në Komunën e Podujevës

Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike, e njohur gjerësisht si KEDS, i është ndaluar vendosja e njehsorëve të rrymës në shtylla dhe në hapësira publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës.
Kjo masë vjen pas një kërkese të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, e cila është aprovuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Lajmin e ka bërë të ditur Fitim Haziri, nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti.
“Informimi është e drejtë themelore e njeriut. Informim i cili duhet të jetë transparent, e si mund të ketë transparencë kur në lokacione të ndryshme të Komunës së Podujevës janë vendosur njehsorë në maje të shtyllave elektrike, ku qytetarët nuk kanë qasje në leximin e këtyre njehsorëve”, ka thënë Haziri.
“Lëvizja Vetëvendosje më 4 mars 2019, ka Propozuar Vendimin në Kuvendin e Komunës së Podujevës, që kompanisë KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës, propozim i cili ishte përkrahur nga të gjitha partitë opozitare, përveç LDK-së e cila e udhëheq Komunën e Podujevës”, ka treguar ai.
“Edhe pse Propozim Vendimi nga LVV kishte kaluar me 17 vota pro, 16 kundër dhe1 s’ka votuar fare, kryesuesi i Kuvendit kishte konstatuar se Propozim Vendimi nga radhët e LVV nuk kalon. Ne menjëherë kemi bërë ankesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke ofruar prova nga xhirimet që ishin bërë gjatë mbajtjes së seancës dhe MAPL-ja Propozim Vendimin nga LVV e pranon si të kaluar pavarësisht konstatimit të manipuluar të Kryesuesit të Kuvendit”, ka bërë të ditur Haziri.
Ai ka thënë se “për të gjitha këto padrejtësi, Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur Vendimin i cili ka kaluar që kompanisë private KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës si dhe të gjithë njehsorët të cilët janë vendosur në maje të shtyllave elektrike KEDS duhet t’i zhvendos poshtë në një afat prej 90 ditëve”:
“Nuk duhet të lejohet që KEDS në emër të investimeve që po i bënë, të bëjë padrejtësi ndaj qytetarëve. Shtrirjen e rrjetit elektrik në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Kompania KEDS e ka obligim, ndërsa obligimi jonë si qytetarë është që t’i ndalim këto padrejtësi”, është shprehur ai. /Express/
