Aktuale
KDI: “Bechtel & Enka”-s i zgjatet afati për 152 ditë, për përfundim të autostradës “Arbën Xhaferi”

Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Bechtel & Enka” kanë arritur marrëveshje që afati për përfundimin e autostradës për Shkup, “Arbën Xhaferi”, të zgjatet për 152 ditë. Kështu bënë të ditur Instituti Demokratik i Kosovës, duke thënë se ka siguruar aneks kontratën që mundëson këtë.
Kjo, sipas KDI-së, ia pamundëson Qeverisë së Kosovës që të kërkoj pënallti për mos-përfundimin e punëve me kohë siç ishtë paraparë, saktësisht në fund të vitit të kaluar.
“Instituti Demokratik i Kosovës/ Transparency International Kosova, ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe “Bechtel & Enka”, janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, gjë që ja pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkoj penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë. Kjo është paraparë në ankes kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën e ka siguruar KDI-ja. Aneks kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milion euro për Autostradën Prishtinë – Hani i Elezit (Autostrada Arben Xhaferi)”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Sipas KDI-së, me këtë aneks kontratë, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë “Bechtel & Enkes” për zbatimin e punëve për këtë autostradë.
KDI thekson se nuk është e qartë se si është zgjatuar afati për përfundimin e autostradës dhe as 53 milionët shtesë që do të paguajë Qeveria Kosovës.
“Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësit për vënien e penaltive për vonesa të ‘Bechtel & Enka’-s në kryerjen e punëve. Sipas kësaj aneks kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyre afati për plus 152 ditë shtesë”, thuhet tutje në kumtesën e KDI-së..
KDI përmes konferencës për media në dhjetorin e 2018 ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milion euro, por deri më tani sipas kumtesës, nuk ka pranuar asnjë informatë shtesë.
