Aktuale
Katër monumente në Gjakovë cenohen nga plani për shumëkatëshe

Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë dhe monumentet e tjera afër saj së shpejti mund të rrethohen nga objektet shumëkatëshe. Ish-udhëheqja komunale nëpërmjet një vendimi të vitit 2015 kishte vendosur që Kulla së bashku me parcelat ku gjendet të shpalleshin prona me interes publik. Me qëllim të ruajtjes së monumentit, vendimi kishte përfshirë edhe dy parcela të tjera përreth objektit.
Por menaxhmenti aktual i Komunës konsideron se Vendimi ka barrë të madhe financiare.
Kryetari i Komunës së Gjakovë, Ardian Gjini, i ka propozuar Asamblesë Komunale ndryshim të vendimit të para tre vjetëve. Këtë e ka bërë me arsyetimin se nëse shpronësohen tri parcela, shteti duhet të paguajë 1.2 milionë euro. Por në mbledhjen e Kuvendit Komunal javën e kaluar, propozimi i tij nuk ka marrë votat e nevojshme. Është vendosur që i njëjti propozim-vendim t’u bëhet prapë asamblistëve. Por nëse pronat nuk mbeten të Komunës, ato do t’i nënshtrohen Planit Rregullativ të miratuar në 2005-n. Nëpërmjet këtij dokumenti parashihen të paktën dy ndërtesa shtatëkatëshe në afërsi të Kullës. Në zonë, sipas njohësve të trashëgimisë kulturore, ndërtesat shumëkatëshe do të cenonin edhe pamjen e Kroit të Sylejman Vokshit, Mejtepit Ryzhdije e Shkollës së Parë Shqipe në Gjakovë.
Kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga synimi i tij për ndryshim të Vendimit të viti 2015. Sipas tij, ai vendim përfshin një sipërfaqe të madhe të tokës, dhe shpronësimi i saj i kushton Komunës 1.2 milionë euro.
“Aty ekziston Plani Rregullativ më 2005 dhe ndiqet ai plan. Nuk e di saktë çka parasheh Plani. Mund të parashohë edhe ndërtesa. Kulla edhe prona e saj do të ruhen dhe do të respektohet Ligji për trashëgimi kulturore”, ka thënë Gjini të hënën.
