Aktuale
Katër dekada të Departamentit të Arkitekturës, tash kërkohet themelimi i fakultetit

Arkitektët e parë të Kosovës ishin detyruar që shkollim e tyre ta kryenin jashtë vendit. Por, tash e katër dekada kuadrot e këtij profesioni po dalin nga Universiteti i Prishtinës.
E, sot u shënua 40 vjetori i themelimit të këtij departamenti në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, duke kujtuar e ekspozuar edhe punën e bërë këtu, raporton Ndërtimi.info.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema po konsideron se kontributi i këtij departamenti për vendin do të jetë edhe më i madh.
https://www.facebook.com/ndertimiinfo/videos/1997455806967765/
“Departamenti i Arkitekturës do të jap, në kushte të reja, shumë më shumë kontribut për shtetin e Kosovës, në ndërtimin e komuniteteve të shëndosha”, tha rektori.
Por, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu theksoi sfidën me të cilën po përballet ky departament.
“Edukimi i studentëve me aftësi në themele teorike për udhëheqje dhe pozita të tjera prodhuese në profesionin e arkitekturës, për të sfiduar konventat përmes të menduarit iventiv dhe teknologjisë, për të kuptuar shumë-llojshmërinë e përvojave kulturore mjedisore, ekonomike she sociale, ishte dhe mbetet sfidë në sajimin e kurrikulave konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, tha ai.
Një nga themeluesit e këtij departamenti, profesori Flamur Doli tregoi për sukseset gjatë këtyre 40 vjetëve.
“Është bërë një punë 40 vjeçare e kurorëzuar me një sukses të lakmueshëm dhe uroj të zhvillohet edhe më tutje, sepse ky fakultet është njëri prej fakulteteve më të rëndësishme, që ka mision fisnik duke krijuar ambientin ku jeton njeriu. Sa më i zhvilluar që është, njeriut ia bënë jetën më të mirë dhe më të lumtur”, u shpreh ai.
Në anën tjetër profesori Dukagjin Hasimja shprehi nevojën për themelimin e Fakultetit të arkitekturës e të mos mbetet vetëm departament.
“Për 40 vjet ka rritur mjaftë. Por, kohëve të fundit do të jetë arritja më e madhe nëse vitin tjetër ndahet dhe themelohet vetëm Fakulteti i Arkitekturës, e jo me qenë nën ombrellën e Fakultetit të Ndërtimtarisë. Stafi jonë mbi 85 % kemi arritur grada shkencore dhe shpresoj që deri në vitin tjetër të bëhet 99% me doktorë shkence. Kështu që krijohet atmosferë më e mirë që të krijohet Fakulteti i Arkitekturës”, tha ai.
Ndërsa, për të gjithë ata që dhanë kontribut ndër vite për këtë departament u ndanë mirënjohje./Ndërtimi.info/
