Arkitekturë
Katedralja e Notre Dame duhet të rindërtohet saktësisht siç ishte

Katedralja e Notre Dame, në Paris duhet të restaurohet saktësisht siç ishte para shkatërrimit nga zjarri. Kjo sipas rezolutës së re të miratuar nga Senati Francez.
Votimi erdhi pasi rindërtimi i katedrales, që u dëmtua nga një zjarr masiv më 15 prill, ka shkaktuar tensione mes tradicionalistëve dhe atyre që e shohin shkatërrimin e saj si një mundësi për ta modernizuar atë.
Kryetarja e Parisit Anne Hidalgo tha se mbështetë rindërtimin e këtij objekti historik në formën identike siç ka qenë më parë, derisa Kryeministri i Francës, Edouard Philippe ka shprehur interes t’i krijojë asaj një qasje më moderniste, transmeton Ndërtimi.info.
Rikthimi i kësaj pike referuese të Francës në gjendjen e mëparshme, është një përpjekje për të ndaluar një qasje moderne në të.
Muajin e kaluar, siç kishte bërë të ditur Philippe, është hapur një konkurs ndërkombëtarë për ta rindërtuar, e ndoshta për ta rifreskuar spiralen dhe kulmin, të cilat mbetën më së shumti të dëmtuara.
Projektligji për restaurimin e saj parashihet të përfundojë në kohën kur do të mbahet Olimpiada Verore, në Paris më 2024, që njëherësh do të përputhet me planin e Presidentit francez Emmanuel Macron për ta rindërtuar strukturën brenda 5 vitesh.
Në prill Presidenti Macron tha se kur katedralja të rindërtohet ajo duhet të jetë “edhe më e bukur se që ishte”. Por, këtë afat të shkurtër kohor për restaurimin e saj, disa e kanë kritikuar duke e quajtur një dredhi politike.
Eksperti i restaurimit Frédéric Létoffé thotë se ky proces mund të zgjasë më shumë, rreth “10 deri në 15 vjet”.
Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv më 15 prillit, rreth orës 18:30, i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.
Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe çatia u shembën krejtësisht.
Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është vërtetuar po hetimet e para kanë treguar se dyshimi kryesor është tek qarku i shkurtër elektrik.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është zotuar se brenda pesë vitesh do të bëhet rindërtimi i saj, madje se kjo katedrale do të bëhet edhe më e bukur se që ka qenë më parë.
Por për këtë gjë ekspertët janë treguar skeptik, duke e lutur Presidentin Macron të mos nxitojë.
Deri tani për rindërtimin e katedrales janë grumbulluar më shumë se 1 miliardë dollarë./Ndërtimi.info/
