Aktuale
Kaq shkolla do të ndërtoheshin me 53 milionëshin e dhënë “Bechtel & Enka”-s

Ndërtimi i shkollave në pjesë të ndryshme të vendit është kërkesë e vazhdueshme dhe njëherësh edhe premtim i vazhdueshëm i kryetarëve të komunave përkatëse dhe i çdo ministri të arsimit. Mirëpo, ende ka shumë vende, me theks fshatrat, që kanë nevojë për ndërtimin e shkollave, disa për arsye se nuk kanë fare e disa sepse ato ekzistente janë tej mase të dëmtuara e në prag të rrënimit.
Arsyeja kryesore që jepet për mos ndërtimin e objekteve shkollore janë financat. Edhe ato që tashmë janë ndërtuara një numër i konsiderueshëm është financuar nga donatorë të jashtëm.
Derisa, institucionet e vendit vazhdojnë të japin arsye se nuk ka buxhet për ndërtimin e këtyre institucioneve, dje u dhanë hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila po ndërton autostradën për Shkup, “Arbën Xhaferi. E, në anën tjetër kostoja totale e këtij projekti infrastrukturor do të kap shifrën 700 milionë euro.
Por, sipas një përllogaritje të thjeshtë me shumë prej 53 milionë euro, kanë mundur të ndërtohen 381 shkolla të vogla.
Ky rezultat del nëse për bazë marrim çmimin e kontratës që ishte nënshkruar për ndërtimin e SHFMU “Haradin Bajrami” në Magurë të Lipjanit, paralele e ndarë në fshatin Mirenë , shkruan Ndërtimi.info.
E, nëse me këtë shumë që iu dha “Bechtel & Enka”-s do të ndërtoheshin gjimnaze, sikurse ai “Ulpiana” në Lipjan, do të mund të financoheshin 26 objekte të tilla. Kjo pasi objekti i këtij gjimnazi Ministrisë së Arsimit që nga themeli deri në funksionalzim i kishte kushtuar 2 milionë euro.
Ndërsa, në anën tjetër do të mund të ndërtoheshin 53 shkolla, si ajo në Damnek të Malishevës. Kjo pasi ky objekt shkollor kishte kushtuar rreth një milion euro.
Por, të gjitha këto objekte që do të kishin zgjedhur problemin e madh për kushte mësimi, mbesin vetëm llogari.
