Aktuale
Kaq mijëra euro planifikohen për renovimin e shkollës së parë shqipe në Prishtinë

Për renovimin e ndërtesë së shkollës së parë shqipe në Prishtinë që po rrezikon të shembet dhe për shtëpinë e banimit Sali Savaqi Komuna e Prishtinës ka planifikuar të jap mbi 64 mijë euro(64. 163, 32).
Në njoftimin e kontratës për renovimin e dy këtyre objekteve tregohet se cilat do të jenë punët që do të kryhen, shkruan Ndërtimi.info
Me rreth këto para po parashihet të bëhen punë në dyshemenë e përdhesës, punët e dyshemesë së katit, tavaneve të përdhesës dhe konstruksioni meskatësh, punët e trajeve të tavanit të katit dhe tavani i katit, punët në muret e brendshme në ndërtesë, punët e dritareve, punët e dyerve dhe dollapave, punët e fasadës lindore, jugore, perëndimore dhe veriore.
Gjithashtu në këto objekte do të bëhet punimi i shkallëve hyrëse për kat, punët e instalimeve elektrike, instalimeve të ujit si dhe punët e paparapara.
Gjithë kontrata ka afatin kohor 120 ditë, pas dhënies së kontratës.
Ndërsa, afati i fundit për pranim të tenderëve është 29 qershori.
Në rast se çdo gjë shkon siç duhet me pjesën e prokurimit, atëherë punimet pritet të nisin muajin tjetër, kështu ka bërë të ditur drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova.
Në këtë objekt që është drejt shkatërrimit dhe krejt afër objektit të Komunës së Prishtinës, kishte jetuar një familje e pastrehë. Sipas po të njëjtit njoftim Rugova tregon se para se të nisin procedurat e prokurimit publik, Komuna e Prishtinës kishte siguruar strehim për këtë familje që banonte në objektin e shkollës së parë shqipe në Prishtinë që ishte hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës.
