Aktuale
Kaq materiale të papërpunuar u eksportua dhe importuan gjatë muajit mars

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2018.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 1.9% në muajin mars 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 233.3 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.4%.
Eksporti i mallrave në muajin mars 2018 kishte vlerën 26.4 milionë euro, ndërsa importi 255.4 milionë euro, që është një rënie prej (-15.4%) për eksport dhe (-3.5%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Eksporti i materialeve të papërpunuara në muajin mars të këtij viti ishte 30.9 për qind, që shënon rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të viti të kaluar, që ishte 8,848 për qind.
Ndërsa, importi është në një përqindje të vogël, 1.6 për qind për marsin e këtij viti, derisa në periudhën e njëjtë të viti të kaluar ishte 6.68 për qind.
Eksportet e Kosovës në vendet e BEsë-28 arritën në 9,0 milionë €, ose rreth (34.2%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (18.9%). Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.4%), Holanda (4.4%), Britania e Madhe (4.2%), Sllovenia (3.4%) dhe Bullgaria (3.2%).
Importet e Kosovës nga vendet e BEsë-28 ishin rreth 106,0 milion €, ose (41.5%) e importeve të përgjithshme, një rënie prej (9.8%). Importet me pjesëmarrje me te larte ishin nga: Gjermania (12.0%), Italia (5.5%), Greqia (3.1%), Rumania (3.0) etj
