Aktuale
Kaq leje ndërtimore lëshoi Gjakova vitin e kaluar
Vitin 2019 Gjakova e përmbylli me mbi 120 leje ndërtimore të lëshuara në gjithë territorin e saj. E sipas Komunës lejet janë lëshuar për të gjitha kategoritë dhë llojet e ndërtimeve.
Donika Grezda, zyrtare për informim, tha se në Gjakovë nuk ka një regjistrim që është bërë kohëve të fundit në lidhje me numrin e objeketeve pa leje, të ndërtuara në këtë komunë. Mirëpo, sipas regjistrit të vjetër, që u bë sa ishte ligji i atëhershëm në fuqi në lidhje me legalizmin e objekteve pa leje, numërohen mbi 8500 objekte të ndërtuar pa leje.
“Regjistri i ndërtimeve pa Leje është punuar konform Ligjit paraprak të trajtimit të ndërtimeve pa leje në vitin 2014 dhe numri i ndërtimeve të regjistruara ka qenë për afërsisht mbi 8500 objekte ( nga të gjitha llojet dhe kategoritë ), ndërsa deri më tani ( 2019 ) nuk kemi kryer regjistrim të ri të ndërtimeve pa Leje”, ka thënë Grezda për Ndërtimi.info.
Por edhe regjistri i vitit 2014 nuk ka qenë i saktë, për shkak se ka qenë i përgjithësuar. Sipas Grezdës, i gjithë procesi është varur nga paraqitja e vullnetshme e pronarëve të ndërtimeve.
Nuk kemi të dhëna të ndara-selektuara lidhur me numrin e ndërtimeve pa leje të objekteve shumë banesore, meqenëse me rastin e regjistrimit të objekteve ( krijimit të Regjistrit Komunal – Shtetëror ) në vitin 2014 regjistrimi ka qenë i përgjithësuar, me afat të shkurtër kohor dhe me numër jo real të ndërtimeve pa leje. I gjithë procesi i krijimit të Regjistrit të ndërtimeve pa leje është varur nga paraqitja e vullnetshme e pronarëve të ndërtimeve për përfshirje në regjistër, ka treguar ajo.
E në lidhje me ligjin e ri të legalizmit që hyri në fuqi vitin që e lamë pas, Grezda tregoi që Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në këtë Komunë, ka pranuar gjithsej 152 aplikime për legalizmin të objekteve.
“Deri më tani, Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit ka pranuar 152 aplikime për trajtim të ndërtimeve pa leje”, njoftoi ajo.
Ajo gjithashtu ka njoftuar, se interesimi për trajtimin e objekteve pa leje ka qenë më i madh nga ana e bashkëatdhetarëve në kohën e pushimeve, në krahasim me interesimin e banorëve të përhershëm.
Po ashtu Grezda, vlerëson që nuk është informuar sa duhet për drejtën e kërkesave për lëgalizmin të objekteve.
“Ka pasur mjaftueshëm interesim, kryesisht në kohën kur bashkë atdhetarët gjendeshin për pushime, ndërsa nga banorët rezident interesimi është i vogël.
Përkundër që ka pasur informim nga niveli qendror konsideroj që nuk është i mjaftueshëm, ka nevojë për fushatë senzibilizuese nga niveli qendror dhe ai lokal”, është shprehur ajo.
Numri i përgjithshëm i ndërtimeve pa leje në Kosovë
Ndryshe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) është thënë se në gjithë Kosovën janë 352 mijë objekte pa leje.
Numrit të madh të ndërtimeve pa leje në Kosovë u tentua t’i jepet zgjidhje në vitin 2013, me ligjin për ndërtime pa leje, ligj ky që i trajtonte të gjithë ato objeket të cilat u ndërtuan deri në vitin 2013. Ligji i vjetër dështoi të kryente funksionin për të cilin u nis, për shkak të procedurave të koklavitura që nevojiteshin për legalizim, e çmimit të lartë që kërkohej. Kështu që në vitin 2017 ky ligj u shfuqizua.
Pas kësaj vitin e kaluar qeveria në largim kishte nxjerrë një ligj të ri, por këtë herë duke i thjeshtëzuar procedurat për legalizim dhe duke i zvogëluar çmimet për metër katëror.
Sipas ligjit të ri çmimi i legalizmit për objektet e kategorisë së parë, ku hyjnë shtëpitë është 1 euro për metër katror, Ndërsa për kategorinë e dytë në të cilën hyjnë ndërtimet shumëkatëshe 2 euro për metër katëror. Diçka që sipas ekspertëve u cilësua si një çmim i ulët dhe mjaft i arsyeshëm.
Qeveria pati vonesa për 6 muaj në xjerrjen e akteve nënligjore të ligjit të ri, i cili është funksional për dy vjet, me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera.