Aktuale
Kaq gurthyes veprojnë në Kosovë, e kundërshtimi ndaj tyre vazhdon
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/05/gurthyesi.png)
Aktiviteti i gurthyesve në Kosovë shumë herë është kundërshtuar nga banorët e zonave ku është zhvilluar ai, me arsyetimin se po dëmtohet natyra.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), numri i operatorëve që merren me aktivitetin e shfrytëzimit dhe përpunimit të gurëve (guroret) është rreth 140, raporton Ndertimi.info.
Të gjitha guroret nga MMPH janë të pajisura me pëlqime mjedisore, prej tyre 66 janë të pajisura edhe me leje mjedisore, kurse 49 janë në procedurë të shqyrtimit për tu pajisur me leje mjedisore.
Për t’u pajisur me dokumentacionin e duhur nga MMPH-ja, për aktivitetet e shfrytëzimit dhe përpunimit të resurseve minerale i nënshtrohen dispozitave ligjore siç është Ligji për Vlerësim të Ndikimit në Mjedis për marrjen e pëlqimit mjedisor, Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit për leje mjedisore, Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes për leje mjedisore të integruar.
Ndërsa, përveç MMPH-së, lëshimin e pëlqimeve apo lejeve përkatëse e bën edhe Agjencioni Pyjor i Kosovës në bazë të Ligjit mbi Pyjet e Kosovës, si dhe Komisioni I Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është institucion i cili lëshon leje përkatëse për resurset minerale nga Ligji për Minierat dhe Mineralet.
Në anën tjetër, së fundmi banorët e fshatrave Kusar, Dol, Pjetërshan, Lipovec, Raçë, Moglicë të Komunës së Gjakovës kanë protestuar në afërsi të Shpellës së Kusarit kundër dëmtimit të pyjeve nga gurthyesit. Protesta është zhvilluar me arsyen se zona e Kusarit dhe Bjeshkët e Pashtrikut janë zona të mbrojtura të natyrës, por eksploatuesit ilegalë gurthyesit kanë filluar gërmimet e maleve deri në shkatërrim./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)