Aktuale
Kallëzim penal për dëmtuesit e pronës publike

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në takimin e parë me qytetarë ka siguruar se do të ketë zero tolerancë për ndërtimet pa leje dhe për ata që dëmtojnë pronën publike, ndërsa ka sqaruar se e arritura më e madhe për gjashtë muaj të qeverisjes së tij është Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh, ku do të gjejnë punë mbi 1 mijë të rinj vushtrrias, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka siguruar qytetarët se nuk do ta lejojë asnjë ndërtim pa leje dhe se të gjithë ata që kanë dëmtuar dhe dëmtojnë pronën publike do të nxirren para ligjit.
Në takimin e parë me qytetarë i pari i Vushtrrisë tha se e arritura më e madhe për gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij është pa dyshim Zona e Lirë Ekonomike në Lumadh, në të cilën do të vendosen biznese nga i gjithë vendi, por edhe kompani të jashtme, të cilat vendosin të investojnë në komunën e Vushtrrisë dhe në të cilën do të gjejnë punë mbi 1 mijë të rinj vushtrrias, shkruan më tutje “Zëri”.
Ai ka përmendur edhe propozimin e tij, që ia ka dhënë Qeverisë së Kosovës për bërjen e zonës ekonomike për investime amerikane në Smrekovnicë, si dhe investimet në fushën e bujqësisë.
Me qëllim të parandalimit të dëmtimit të pronës publike i pari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ka ndaluar gërmimet e dheut, që janë bërë nga disa persona përgjatë magjistrales Prishtinë – Mitrovicë, pranë ish-objektit të Stacionit të Autobusëve e që janë bërë pa lejen e organeve kompetente komunale, duke sqaruar se ndaj atyre që kanë dëmtuar pronën publike është ushtruar kallëzim penal në Gjykatë.
