Aktuale
“Kalabria” e Prishtinës pa çerdhe, pa ngrohje e me kolektor të papërfunduar

Ndërtesa të larta e të reja e karakterizojnë njërën pjesë të lagjes Kalabria, ndërsa shtëpitë pjesën tjetër.
I përzier është edhe relievi i saj, njëherë i rrafshët e pastaj kodrinor.
Kësaj pjese të kryeqytetit, që njihet edhe si “Emshir”, që nga paslufta, krahas ndërtesave, i janë shtuar edhe banorët, raporton emisioni 038 në KTV.
E problemi i parë që e thonë këta të fundit, me të mbërritur në lagje, është ngecja në punimet për kolektorin e ujërave të zeza – tash e disa vite.
Të frustruar nga kundërmimi i përditshëm i lumit Mat, banorët thonë se më nuk mund të durojnë dhe e kanë një kërkesë sfiduese për kryetarin e Prishtinës.
Një grua që i mban hundët e mbyllura për shkak të erës thotë, “Nuk di çka me bo mo, e kemi veç një lutje, le të vjen kryetari le të rrin veç 15 minuta qitu!”.
“7 marsi” është shkolla e vetme në këtë lagje, ndërsa afër saj është edhe Qendra e Mjekësisë Familjare, raporton emisioni 038 në KTV.
Por në “Kalabri” nuk ka asnjë çerdhe publike.
Në pjesën më të madhe të lagjes nuk kalojnë as autobusët urbanë.
Në rrugët e lagjes nuk mungojnë as gropat dhe pusetat e hapura.
Shumica e tyre janë të përkohshme – me kubëza, e pa trotuare.
Ndërsa edhe aty ku ka, trotuaret shërbejnë si vendparkim i veturave.
E edhe pse nga aty shihet “simboli” i Termokosit, kjo lagje nuk është e lidhur në rrjetin e ngrohtores së qytetit.
Diçka e tillë u ishte premtuar se do të bëhet në dy vjetët e fundit.
Fushat e sportit e parqet janë tjetër mungesë në këtë lagje.
