Aktuale
Kabashi: Ndërtimet e reja në Kosovë mund ta përballojnë tërmetin prej 8 shkallë të Rihterit

Ndërtimet aktuale në Kosovë, sipas profesorit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina, Naser Kabashi, i plotësojnë kushtet rajonale, që nënkupton se në masë të madhe ato mund ta përballojnë një tërmet prej 8 shkallësh të Rihterit.
Kabashi, në intervistën për “E diela me Kohën Ditore”, ka thënë se kompanitë e ndërtimit janë të detyruara që ta respektojnë targetin “eurokodi 8”, i cili është standard evropian. Ka thënë se gjatë ndërtimit përdoren hartat sizmike rajonale.
Mirëpo, ai ka thënë se janë disa mangësi, të cilat duhen medoemos të eliminohen. Mungesa adekuate e mbikëqyrjes nga inxhinierët e ndërtimit, por edhe nga inspektorët, sipas Kabashit, është një shqetësim në vete. Siç ka thënë ai, problem mbetet numri i vogël i inspektorëve, por edhe i personave që janë profesionistë në këtë fushë në kuadër të Inspektoratit.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është edhe te testimi apo ekzaminimi gjeomekanik, që nënkupton testimin e bazamentit se ku do të vendoset objekti. Kabashi ka thënë se edhe në këtë pikë ka ngecje.
KD: Sa është Kosova e përgatitur në aspektin infrastrukturor e urbanistik për t’i përballuar tërmetet?
Kabashi: Në parim është tejet me vend që të kërkohen nga kushdo detaje rreth përgatitjeve infrastrukturore, por do t`ia shtoja edhe ato legjislative, të nevojshme për ndërtimin e objekteve, të cilat me kohën mund t`i përballojnë tërmetet eventuale. Ose më mirë të thuhet “të sillen mirë në tërmete”.
Në aspektin e përgjithshëm, prej vitit 2000 në plan-programet tona i kemi futur “eurokodet” ose “kodet e projektimit”, që na mundësojnë saktë të bëjmë dimensionimin e një objekti, duke përfshirë edhe sjelljen e tij ndaj veprimeve të tërmetit.
Sa për informatë të opinionit, një prej pikave ose targeti është “eurokodi 8”, i cili bën llogaritjet nga tërmetet ose intensiteti i tërmeteve deri në 8 gradë të Rihterit. Pra, sipas kësaj bëhet dimensionimi dhe me këtë e mbyllim anën legjislative.
