Aktuale
Juzuf Azemi thotë se Raporti i Progresit ia ka “huqë” me shifrat e vdekjeve të punëtorëve
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/PUNETORET-GRUP-5.jpg)
Ekspozimi ndaj lëndimeve dhe aksidenteve në vendin e punës, që shpesh rezultojnë me fatalitet, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, vazhdon të jetë alarmues në Kosovë.
Kjo gjë ka marrë edhe vëmendjen e Komisonit Evropian. Në Raportin e Progresit për vitin 2019 del që në fushën e ndërtimit jo vetëm se nuk ka pasur progres por është shënuar regres. Regres ky që është rritur për shkak të numrit të viktimave dhe të të lënduarve në vendin e punës, për çka kishin reaguar edhe shoqëria civile duke protestuar pikërisht në Ditën e Punëtorëve, 1 Majin.
Sipas raportit, nga 14 vdekje sa ishin në vitin 2017-të, ky numër është rritur duke shënuar 21 vdekje në vitin 2018.
Por, këto shifra sipas Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi nuk janë aspak reale dhe janë të thirrura nga institucionet shtetërore.
Azemi, për Ndërtimi.info thotë se sipas shifrave të tij zyrtare, në vitin 2017 janë evidentuar mbi 20 raste të vdekjeve në vendin e punës , ndërsa në vitin 2018-të janë 27 raste të vdekjeve. Derisa nga fillimi i 2019-ës e deri tani, në fushën e ndërtimit është raportuar rasti i 9-të i vdekjes në vend të punës.
“Absolutisht shifrat reale nuk janë ato shifra që thirren nga institucionet shtetërore. Në vitin 2017 i kemi 21 raste të vdekjeve në vendin e punës, në vitin 2018 janë 27 raste të vdekjeve kurse në vitin 2019 i kemi 9 raste të vdekjeve në vendin e punës dhe këto janë shifra të sakta. Këto të dhëna janë me emër, mbiemër të punëtorit, tregojnë edhe vendin komunën dhe kompaninë, si dhe ku dhe në ç’rrethana ka qenë duke punuar punëtori”, thotë Azemi.
E rastet e lëndimeve e aksidenteve që përfundojnë me fatalitet, Raporti i Progresit, i 2019-ës, ia ka adresuar edhe Inspektoratit të Punës, për shkak se siç thuhet aty, nuk po i ndjekë në mënyrë të duhur këto raste.
“Inspektorati i Punës nuk i ndjekë në mënyrë të duhur këto raste, ka shqetësime në lidhje me saktësinë e të dhënave për aksidentet në vendin e punës si dhe nën-raportimin e viktimave. Kjo gjë dëmton planifikimin efektiv dhe synimin e krijimit të masave parandaluese dhe inspektimeve në vendin e punës. Pasi që shumica e aksidenteve me fatalitet janë shënuar në sektorin e ndërtimit. Inspektorati i Punës duhet ta targetojë në mënyrë më efikase këtë sektor. Numri i inspektorëve është rritur ndjeshëm në 2018-tën, por akoma vazhdon të jetë i pamjaftueshëm”, theksohet në raport.
Se Inspektorati i Punës nuk po i kryen detyrat në mënyrë të duhur është i pajtimit edhe Azemi.
Sipas tij, rritja e numrit të inspektorëve nuk po bëhet qëllimisht për shkak se në këtë formë po i jepet hapësirë kompanive që në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës të bëjnë manipulime që rëndojnë në kurrizin e punëtorëve.
“Ne e kemi thënë se inspektorët nuk janë duke e bërë punën e tyre, pavarësisht se sa është numri i inspektorëve, për shkak se në disa vende tjera, numri i inspektorëve është akoma më i vogël, në raport punëtor- inspektor. Sipas informacioneve që i kemi, në disa vende komplet 28 inspektorë i përcjellë mbi 4 milionë punëtorë dhe kanë rezultate shumë më të mëdha.
Është normale që qëllimisht nuk e kanë bërë këtë rritje të numrit të inspektorëve sepse buxhet kanë pasur, inspektorë kanë pasur, por, qëllimi ka qenë që t’i jepet hapësirë kompanive që i menaxhojnë direkt nga qendrat; Qeveria e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre konkret. Po e shihni tani që manipulimet që janë bërë, janë bërë kryesisht me kompani të mëdha dhe të vogla gjithë herë në kurrizin e punëtorëve. Është shumë e vërtetë që inspektorët nuk janë duke e kryer punën e vet”, shprehet Azemi.
E fshehja e shifrave reale sipas Azemit çon deri tek pasiguria për raportimin e lëndimeve e të aksidenteve në punë.
“Ne jemi të bindur se as 5% të lëndimeve nuk i lajmërojnë sepse në moment ai është i gatshëm ta durojë dhimbjen dhe lëndimet vetëm e vetëm që ta ruaj vendin e punës, sepse duhet patjetër me punu. Ne kemi të dhëna, vetëm në vitin 2017 sindikata ka pasur mi 748 informacione për lëndime, ndërsa Inspektorati i Punës thotë se kanë qenë 89 lëndime në vendin e punës. Ne të dhënat i kemi marrë nga qendrat spitalore, familjare etj.. Kemi pasur raste kur të lënduarit në vendin e punës, kanë pasur nga mjeku 1 muaj pushim mjekësor por, pas 3 ditësh, i njejti punëtor na thërret dhe tregon se pronari i kompanisë i ka thënë që nëse ditën e katërt nuk vjen në punë, kontrata e punës shkëputet. Ne jemi kundër këtij shteti dhe këtij inspektorati vetëm pse e kemi dhënë gjendjen reale”, thekson Azemi./Ndërtimi.info/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)