Aktuale
Jo për 7 muaj, MZHE vendos që për 3 muaj ta përkthejë kontratën për “Kosovën e Re”

Tre javë pas nënshkrimit, të premten, me 19 janar u publikua kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në gjuhën angleze, për të cilën raportoni Ndërtimi info, se një e tillë nuk është në gjuhën shqipe.
Pavarësisht se në deklaratën e zyrtarëve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhënë për Ndërtimi.info se nuk është planifikuar përkthimi i saj, por edhe në rast se do vendosej për përkthim do të merrte kohë 6 deri në 7 muaj kohë, sot ndryshe po thotë ministri Valdrin Lluka.
Ai gjatë një takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se do të bëhet përkthimi i kontratës, madje për tre muaj.
Lluka tha se përkthimi i kontratave do të bëhet nga zyra e ministrisë dhe se nuk beson se do të ketë kosto të madhe.
“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, tha Lluka.
Në takim mes ministrit dhe Kryetarit të OEK, Safet Gërxhaliut thuhet të jetë diskutuar për çështje që lidhen me Termocentralin “Kosova e Re”.
“E informova për disa pjesë të kontratës për të cilën i tregova se çka mund të presim në sektorin energjetik, tha Lluka.
Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, bëri thirrje për një stabilitet politik pasi tha se kjo po ndikon edhe në atë ekonomik.
“Është nënshkruar një kontratë për termocentralin ‘Kosova e Re’ e që është një kontratë që ka rëndësi strategjike ekonomike dhe integruese. Ajo që e karakterizon këtë kontratë duhet të jetë model edhe për institucionet e tjera, është transparenca. Në këtë drejtim më gëzon faktin që ministri Lluka po e bën një standard të ri që nuk ka qenë në të kaluarën për ekonomi duhet të bëhet më shumë se sa që flitet”, tha ai.
