Featured
Jepen mbi 1 mijë leje ndërtimi

Gjatë harkut kohor 2012-2016 janë miratuar gjithsej 1.402 leje ndërtimi. Në vitin e parë të këtij pesëvjeçari numri i lejeve është i ulët, ndërkohë që për vitet në vijim numri i lejeve të ndërtimit të miratuara paraqet rritje.
Kështu thuhet në një raport të fundit të INSTAT, ku ndër të tjera nënvizohet se kërkesa për leje ndërtimi për banesa dominon në krahasim me kërkesat për ndërtesa industriale, hotele, zyrash, tregtare apo të tjera. Kështu, lejet e ndërtimit të miratuara për banesa zënë 60,1 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq lejet e ndërtimit miratuar për ndërtesa të tjera zënë 39,9 % të këtij treguesi.
Lejet e dhëna në qarqe
Sipas qarqeve, bazuar në informacionin e grumbulluar për periudhën kohore 2012 – 2016, lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja janë përqendruar në qarkun e Tiranës me 31,5 %, Durrësit dhe Vlorës me përkatësisht 13,3 % secila
Për sa i përket lejeve të miratuara për banesa, referuar të njëjtit hark kohor, qarqet me numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit të miratuara janë qarku i Tiranës me 29,2 %, Vlorës me 18,4 % dhe Shkodrës me 13,4 %. Në vitin 2016 vihet re piku më i lartë i lejeve të miratuara për ndërtesa të reja, me 455 leje ndërtimi të miratuara gjithsej ose 32,5 % e të gjithë lejeve të miratuara gjatë pesëvjeçarit të fundit.
“Ndërsa, viti 2012 është viti në të cilin janë miratuar më pak leje ndërtimi referuar të njëjtës periudhë kohore, me përkatësisht 147 leje ndërtimi të miratuara, nga të cilat 41,5 % e tyre janë miratuar vetëm në qarkun e Vlorës. Numri mesatar i lejeve të ndërtimit të miratuar për ndërtesa të reja gjatë harkut kohor 2012 – 2016 është 280 leje të miratuara për vit, ndërkohë që në vitin 2016 janë miratuar përkatësisht 175 leje ndërtimi më shumë sesa numri mesatar i lejeve të ndërtimit të miratuara në pesëvjeçarin e fundit”, thuhet në raportin e INSTAT.
Një tregues tjetër i rëndësishëm është sipërfaqja e miratuar për ndërtimin e objektit. Sipërfaqja gjithsej e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja në vitet 2012- 2016 është 3.318 mijë metra katror, ku sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për banesa zë 75,4 % të këtij treguesi.
Referuar të njëjtës periudhë kohore, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarkun e Tiranës me 63,9 %, Vlorës me 17,6 % dhe Durrësit me 6,8 %.
