Featured
Jeffrey Shumaker: Rehatoni makinat në Kosovë, ato janë kudo jashtë kontrollit
![Fotot e marr nga "The Architect Newspaper"](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/Screen-Shot-2017-03-14-at-3.10.26-PM-1024x0-c-default-2.png)
“Veturat e parkuara kudo po i shtyejnë njerëzit të ecin në rrugë, kjo gjë nuk është e sigurtë”- Jeffrey Shumaker
Veturat e parkuara kudo, betoni që çahet në rrugë (v.j. trotuar) e mungesa e kualitetit të materialeve në ndërtesat që janë ngritur së fundmi, në Kosovë, janë disa nga problemet e evidentuara nga Drejtori i Planifikimit Urban dhe Dizajnit, në studion e arkitekturës “Kohn Pedersen Fox Associates” (KPF), Jeffrey Shumaker.
Shkruan: Arta Desku
Kreu i studios me bazë në New York, të SHBA-ve, i cili ka qëndruar në Kosovë për edicionin e shtatë të “Festivalit të Arkitekturës ku edhe ka mbajtur një ligjëratë të cilën e gjeni këtu, për Ndërtimi.info ka folur në një intervistë, rreth përdorimit të hapësirave publike, organizimit të qytetit dhe ideve inovative që do të mund ta shtyenin përpara zhvillimin e vendit tonë.
Problemi më i shprehur në Kosovë, i cili i ka rënë atij në sy është se makinat janë jashtë kontrollit, e të parkura kudo. Sipas tij, një gjë e tillë i shtyen njerëzit të ecin nëpër rrugë duke krijuar kështu pasiguri.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/hbkj.jpg)
Foto e marr nga “Experience Kosovo”- Arton Krasniqi
“Duhet t’i kemi makinat nën kontrollë, për shkak se makinat janë të parkuara kudo. Makinat duhet të vendosen nëpër garazhe, të vihen nën kontrollë sepse po i shtyejnë njerëzit të ecin nëpër rrugë dhe kjo nuk është e sigurtë”, ka deklaruar ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë atij i ka rastisur të njihet për së afërmi me arkitekturën dhe planifikimin e kryeqytetit, Prishtinës.
E tek planifikimi i qytetit, ai ka thënë se vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet materialeve me të cilat ndërtohen rrugët. Kjo për shkak se betoni në rrugë po çahet.
Çarjet e betonit kanë bërë që ai të merr në thua disa herë gjatë ecjes.
“Një rëndësi më e madhe u nevojitet detajeve dhe materialeve. Kam marrë në thua disa herë, sepse duhet të shikosh shumë shpesh poshtë, për shkak se betoni në rrugë çahet dhe është diçka në të cilën duhet të fokusohet qyteti”, ka potencuar ai.
E mungesa e kualitetit të materialeve, sipas Shumaker, është e pranishme edhe në ndërtesat e reja. Sipas tij, disa nga ndërtesat e reja nuk kanë kualitet të madh. Por, kjo gjë, siç thotë ai është një sfidë edhe në New York dhe deri tek kjo gjendje arrihet për shkak se kërkohet që të ndërtohet shpejt dhe me çmime të ulta, e kjo gjë, thotë ai, është sfidë e vërtetë.
“Për fat të keq disa nga ndërtesat e reja të cilat më ka rastisur t’i shoh, nuk kanë kualitet të madh. Kjo është një sfidë edhe në qytetin e New York-ut, zhvilluesit gjithmonë janë në kërkim të të ndërtuarit më lirë dhe më shpejtë, e në këto raste ruajtja e kualitetit është një sfidë e vërtetë”, ka theksuar ai.
Më kualitative e më unike i ka konsideruar objektet që janë ndërtuar vite më parë duke vënë theksin tek Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, e ndërtuar në vitin 1974, e cila shpesh herë konsiderohet nga mediet ndërkombëtare si objekt ikonik.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/t7VlZvh.jpg)
Me këtë bibliotekë, e cila i ka lënë shumë mbresa, është njoftuar tek ekspozita e “MOMA”-s, dhe sipas tij ka qenë ndër objektet më unike.
“Në Kosovë ka ndërtesa fascionuese individuale, siç është bibilioteka, e cila është një ndërtesë e mrekullueshme, që e kam parë tek ekspozita e ‘MOMA’-s, në New York dhe ka qenë një ndër objektet më të më unike. Veçantia e saj bie tek detajet. E vëmendja që i është kushtuar kualitetit dhe materialit është me të vërtetë e mirë”, është shprehur ai.
I pyetur për arkitekturën e periudhës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ai është shprehur se shumica e arkitekturës së asaj kohe është pjesë e historisë dhe si e tillë duhet të lartësohet.
Sipas tij, ky lloj i arkitekturës aktualisht nuk është në formë të mirë dhe se duhen të holla për t’i mirëmbajtur objektet e tilla.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/hgfhgfj.jpg)
Foto e marrë nga “Visit Prishtina”
“Njerëzit këtu e marrin të qenë për shkak se janë rritur këtu, por siç e kam përmendur edhe në ekspozitën e ‘MOMA’-s, ishte hera e parë që shumica e amerikanëve, patën mundësinë të shohin pak nga ky lloj i arkitekturës. Shumë prej arkitekturës së periudhës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë është në formë jo të mirë, duhen të holla për ta mirëmbajtur, por mendoj se kjo arkitekturë duhet të ruhet dhe të lartësohet sepse është pjesë e historisë”, theksoi ai.
Një tjetër problem që nuk i është shkoqitur Kosovës tash e disa vite është edhe ndotja e madhe e ajrit. I pyetur se në ç’formë do të mund të ndihmonte arkitektura e planifikimi në këtë drejtim, ai ka thënë se zgjidhja për ta luftuar këtë dukuri, do të ishte shmangia e veturave.
“Planifikimi i qytetit ka një rol shumë të madh për t’i inkurajuar njerëzit që të ecin më shumë, të dalin njërëzit nga makinat e tyre. Çdokush nget vetura çdokund dhe ky është një problem mjaft i madh. Planifikimi dhe arkitetkura luajnë një rol shumë të rëndësishëm, për mua, gjëja kryesore është që njerëzit të largohen nga veturat”, u shpreh ai.
Megjithë problemet e cekura, Shumaker, Kosovën e ka vlerësuar si një vend shumë publik, me njerëz të shumtë që kalojnë kohën e tyre në hapësirat publike.
“Është një vend shumë publik, njerëzit me të vërtetë i përdorin hapësirat publike këtu. Kjo është një gjë shumë e mirë, çdo natë ka pasur njerëz nëpër rrugë duke dëgjuar muzikë. Është një gjë shumë mirë”, u shpreh ai.
Në lidhje me zhvillimin e vendit dhe përdorimin e hapësirave publike ai ka thënë se alternativa të shumta propozohen edhe nga studentët .
Sipas të parit të “KPF”, studentët në Kosovë kanë potencial të madh por nuk dëgjohen nga askush, e kjo sipas tij është një humbje sepse studentë të tillë janë një pasuri e vërtetë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/k.jpg)
Foto e marrë nga “Kosovo Architecture Festival”
“Këtu shoh një potencial të madh dhe studentët me të cilët kam punuar janë me të vërtetë optimistë, ambicioz dhe ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Kam parë një frustrim tek ta për shkak se qyteti nuk angazhohet me ata në asnjë mënyrë dhe mendoj se kjo është një humbje e mundësisë, sepse qyteti duhet të angazhohet më shumë. Të pasurit stundentë të tillë është një pasuri e vërtetë edhe të biseduarit me ta e të mësuarit me ta është kënaqësi. Ata kanë ide të shumta por duket sikur askush nuk po i dëgjon”, ka nënvizuar Shumaker.
Jeffrey Shumaker është marrë me arkitekturë dhe planifikim të qytetit për më shumë se njëzet vjet, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, me një fokus të veçantë në hartimin dhe programimin e hapësirës publike.
Ai ndihmoi komunitetin, arkitekturën, institucionet private e qytetet që të krijojnë vende më të mira për të jetuar, punuar, studiuar dhe luajtur.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)