Arkitekturë
Java e arkitekturës në Tiranë me një grup kuratorësh italianë

Java e arkitekturës në Tiranë (TAW) po nis me edicionin e katërt këtë vit. Tashmë ky festival është shndërruar në traditë vjetore në kryeqytetin shqiptar.
Këtë vit, tema e edicionit është taktikat e bashkëjetesës. Sfida është që të adresohet çështja e bashkëjetesës, duke eksploruar taktikat bashkëkohore për të përcaktuar hapësirat e ardhshme në arkitekturë, qytet dhe peisazh.
Arkitekteza.com ka folur me një nga kuratorët, Enrico Porfido për të biseduar për çështjet dhe ngjarjet e këtij viti, transmeton Ndërtimi.info.
“Tirana Architecture Week (TAW) këtë vit është në edicionin e vet të katërt. Ky aktivitet nisi në 2012. Është promovuar dhe organizuar nga Universiteti POLIS dhe qëllimi i vet kryesor ka qenë promovimi i shkëmbimit të njohurive mes arkitekturës dhe fushave akademike, me qëllim gjetjen e lidhjes mes qasjes akademike dhe jetës së vërtetë. Secilin vit ne i jemi qasur çështjeve të qytetit, duke përfytyruar qytetin, Tiranën, arkitekturën që ka rëndësi (tema e festivalit 2016). Këtë vit po zgjerojmë imazhin, duke e bërë TAW një festival ndërkombëtar e më të madh”, shpjegon Porfido.
I pyetur rreth temës së këtij viti, Porfido ka treguar se qysh nga fillimi i shekullit të tanishëm, njerëzit janë më të hapur për të bashkëjetuar me njerëz të tjerë për çështje të ndryshme.
“Tema e këtij viti është Bashkëjetesa sepse prej fillimit të këtij shekulli, ajo që po dëshmojmë është sesi njerëzit janë më të hapur në bashkëjetesën me njerëz të tjerë e çështje të tjera. Ajo që donim të preknim këtë vit është sesi njerëzit bashkëveprojnë me teknologjinë, turizmin, kujtesën e qytetit. Qëllimi i këtij viti është të qenit sa më shumë ndërdisiplinarë. Të tregojmë se arkitektura nuk është vetëm ajo e objekteve, por ne shqyrtojmë e merremi me qytetin, sesi njerëzit bashkëjetojnë. Lehtësimi i jetesës e i marrëdhënieve mes njerëzve është në thelb një përgjegjësi e arkitektit, urbanistit, e të tjerë profesionistëve të kësaj fushe”, ka thënë Porfido.
Ky festival ka pësuar ndryshime nga viti në vit dhe për këtë Porfido ka treguar se festivali përgjithësisht ka mbuluar të njëjtin format, atë të punëtorive, leksioneve, ekspozitave, filmave, performancave.
“Ndryshimi i këtij viti është se i rikthehemi edicionit të parë, me një konferencë ndërkombëtare shkencore, e cila do të jetë zemra e festivalit prej 10 ditësh. Gjithashtu, këtë vit të gjitha aktivitetet janë ngjeshur në 10 ditë. Duam që të gjithë pjesmarrësit që vijnë në Tiranë, të shtyjnë qëndrimin e tyre e të marrin pjesë dhe në aktivitetet e tjera. Këtë vit po përpiqemi të hyjmë në qytet, jo vetëm në rrugët e tij, por në vendet ku njerëzit mblidhen. Vendgrumbullimet kryesore janë Destil Hostel, Tulla/Nouvelle, Reja (ku do të zhvillohet dhe konferenca ndërkombëtare), Parku i Liqenit, ku do të zhvillohet një nga performancat kryesore në amfiteatër” ka treguar Porfido për Arkitekteza.com
Rreth përfshirjes së pjesëmarrësve këtë vit, Porfido ka thënë se kalendari i këtij viti është vërtetë i ngjeshur. Gjysma e aktiviteteve janë promovuar nga platforma FUTURE ARCHITECTURE në të cilën festivali është pjesë prej disa vitesh. Mënyra e pjesëmarrjes është përmes një thirrjeje që FUTURE ARCHITECTURE organizon çdo vit, ku aplikohet, dhe si pjesëmarrës zgjidhen ata që do t’i bashkohen festivalit të TAW.
“TAW nuk është vetëm një seri ngjarjesh, por një mbajtës aktivitetesh që ndodhin shkëputur nën të njejtën temë. Ky festival nuk është thjesht leksioni i dikujt apo ekspozita e dikujt, po një seri leksionesh, filmash, performancash. TAW është si një organizëm ku secili aktivitet i shkëputur merr vlerën e duhur duke qenë pjesë e së gjithës. Qëllimi i TAW nuk është vetëm penetrimi në qytet, por të theksohet se arkitektura është shume-disiplinëshe. E kemi arritur këtë qëllim me konferencën shkencore ndërkombëtare. Janë të ftuar ekspertë të shumë fushave; ekologji, gjeografi, që na bashkohen në aktivitete për të treguar se duhet t’i zgjerojmë interesat tona si profesionistë edhe në fusha jashtë arkitekturës”, shprehet Porfido.
Megjithatë, festivali kishte pasur edhe kritikues, për atë se këtë vit është një grup kuratorësh vetëm italianë. I pyetur rreth kësaj, Porfido ka thënë:
“Zgjedhja e këtij viti me kuratorë vetëm Italianë është kritikuar nga jashtë. Pyetja kryesore është, pse Italianët po organizojnë festivalin në Shqipëri? Si fillim dua të falenderoj rektorin që na dha mundësinë të jemi ne pjesë e këtij grupi, profesor Besnik Aliaj, e u përgjigjem kritikave duke theksuar se ndonëse vetë nuk kam shumë vite në Shqipëri, dy kuratorët e tjerë, profesor Loris Rossi dhe profesor Laura Pedata, jetojnë këtu prej 8 vitesh. Ne ndihemi shqiptarë në zemër, megjithëse jo në pasaportë, e po kontribojmë në Shqipëri me punime e studimet tona. Fakti që grupi kuratorial është vetëm italian, është një tregues i fenomenit që po ndodh prej disa vitesh në Shqipëri. Shumë arkitektë të huaj po vendosen këtu, po hapin zyrat e tyre këtu, e po transformojnë Tiranën në një Metropolis bashkëkohor” ka thënë Profido.
Porfido gjithashtu ka treguar se gjysma e aktiviteteve janë organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, Ambasada e Holandës, Ambasada e Spanjës, e sponsor të tjerë.
