Aktuale
Jashari premton 1000 vende të reja pune në Parkun e Biznesit në Marinë

Kthimi i 36 hektarëve tokë të AKP-së në pronë të Komunës, të cilët do të shndërrohen në zonë ekonomike, sipas kryetarit të Skenderajt Bekim Jasharit krijojnë mundësi për hapjen e 1 mijë vendeve të reja të punës. Edhe në vitin 2006 Komuna e Skenderajt ishte përpjekur të ndërtojë park biznesi në të njëjtën hapësirë, por kishte hasur në rezistencë të banorëve lokalë, ndërsa tani të njëjtit kanë hequr dorë nga pronat e tyre, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka arritur më në fund që t’i bindë asamblistët e Skenderajt që ta votojnë propozim-vendimin e tij për kthimin në pronësi të Komunës të 36 hektarëve tokë në Marinë, e cila aktualisht menaxhohet nga AKP-ja, me gjithë kundërshtimet e disa prej subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Skenderajt.
Tanimë kur vendimi për shpallje në interes të përgjithshëm të hapësirës në Marinë është marrë, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari është inkurajuar të punojë me përkushtimin më të madh për të tërhequr investitorë jo vetëm të vendit, por edhe investitorë të huaj, shkruan tutje “Zëri”.
Duke u ndier i lehtësuar që më në fund ideja e tij ka kaluar dhe krijon parakushte për investime, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ka uruar qytetarët e Skenderajt për Parkun e Biznesit dhe njëkohësisht ka premtuar se ekonomia e komunës do të zhvillohet me hovin më të madh dhe se për qytetarët do të ketë edhe vende pune.
“Prej ditës së parë të punës sime në krye të Komunës së Skenderajt jam përkushtuar që të sjell investitorë me të cilët do të punojmë së bashku për ta ngritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Komunës dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve komunale. Andaj, sot u bë hapi i duhur, duke u krijuar edhe parakushtet e nevojshme për investime. Në Parkun e Biznesit të Skenderajt, në Marinë, planifikojmë së bashku me investitorët të hapim fabrika, të cilat do t’i gjenerojnë mbi 1000 vende pune. Projektin e Parkut të Biznesit në Skenderaj e kam diskutuar me qytetarë, ekspertë, asamblistë dhe me investitorë, duke marrë mbështetjen e të gjithëve për këtë projekt madhor për komunën tonë. Po ashtu projekti ka marrë përkrahje edhe nga presidenti i Republikës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj”, thotë kryetari Jashari.
