Featured
Janë thyer xhamat e qendrës kulturore “Termokiss” në Prishtinë

Qendra “Termokiss”, e cila drejtohet nga komuniteti në kryeqytet – e që ka mision reflektimin mbi ndryshimin urban e civil, po ashtu të shërbejë si hapësirë ku mblidhen të rinjtë për të zhvilluar projekte apo idetë e tyre – është dëmtuar edhe një herë qëllimshëm në mëngjesin e së dielës.
Dera hyrëse prej qelqi është thyer e tëra si rezultat i hedhjes me gurë në drejtim të saj, nga persona deri tash të panjohur. Përveç derës, nuk është raportuar për dëme të tjera. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kjo qendër sulmohet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në korrikun e vitit 2016 kur edhe u bë rivitalizimi i objektit industrial të braktisur e që i takonte ngrohtores së qytetit “Termokosit”, gazeta kishte raportuar për një sulm të ngjashëm ku dikush kishte thyer derën dhe ishte futur brenda për të vandalizuar objektin, i cili kishte marrë formën e një qendre atraktive për të rinjtë falë punës vullnetare.
Por Njomza Dragusha, një prej iniciatorëve të krijimit të kësaj qendre, të dielën ka thënë se “Termokiss” deri më tani është bërë pre e më shumë se dhjetë sulmeve të tilla. Dëmet deri më tani kapin shifrën prej 4 mijë eurosh.
Ndryshe Termokiss është qendër shoqërore e cila gjendet në lagjen Dardania, në afërsi të ngrohtores së qytetit ‘Termokos’ dhe shkollës ‘Dardania.’
Kjo qendër është nisur dhe drejtohet nga komuniteti, dhe ka për qëllim të ofrojë hapësirë për aktivitete argëtuese dhe edukative për qytetarët e Prishtinës. Hapësira ku komuniteti i Termokiss i zhvillon aktivitetet e saj është ndërtuar në fillim të viteve të ‘90ta por asnjëherë nuk është shfrytëzuar deri në korrik të vitit 2016, kur dhjetëra vullnetarë nga Kosova, Belgjika dhe Zvicra e funksionalizuan këtë strukturë nën ombrellën e projektit Toestand Mâche Prishtina.
