Aktuale
Ja kur do të shugurohet katedralja “Nënë Tereza”
Shugurimi i Katedrales “Nënë Tereza”, ndërtimi i së cilës filloi më 26 gusht të vitit 2005, ndërsa u inaugurua në vitin 2010, do të bëhet më 5 shtator.
Don Lush Gjergji, duke treguar për Radio Kosovën se çka është shugurimi, tha se me shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza”, kjo katedrale do të jetë në shërbim të Zotit, gjithë besimtarëve të krishterë dhe njerëzve vullnet mirë të gjithë botës.
“Shugurimi i ndonjë kishe, katedrale apo shenjtërore është akti përfundimtar, apo akti final i një objekti, i cili i kushtohet Zotit, ndonjë shenjti apo shenjtëreshe, dhe vihet në shërbim të besimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnet mirë”, ka thënë ai.
Don Lush Gjergji tha se me shugurimin e katedrales po realizohet një nevojë e kamotshme e kishës vendore në Kosovë dhe një ëndërr e të ndjerit Imzot Mark Sopi. Gjergji tha se shugurimi i katedrales, i cili do të bëhet me 5 shtator, ka një rëndësi të madhe, sepse i kushtohet bijës, motrës, nënës sonë, të shenjtës Nënës Terezë.
“Kjo për ne e ka një rëndësi të veçantë, sepse i kushtohet bijës, motrës dhe nënës tonë, Shën Terezës. Dhe këtë e kemi bërë enkas në 20 vjetorin e vdekjes, apo kalimit të saj në amshim. Dhe në një vjetorin e shenjtërimit të saj”, tha Gjergji.
Don Lush Gjergji tha për Radio Kosovën se me Nënën Terezën, emrin e së cilës e mbanë shenjtërorja dhe katedralja e cila do shugurohet, populli shqiptar paraqitet më së miri, sepse, siç tha Gjergji, Nënë Tereza është ambasadorja jonë më e mirë.
Gjergji tregoi se në shugurimin e katedrales do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Vatikanit, kardinali shqiptar, Ernest Troshani, prania e të cilit e bën edhe më madhështore shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza”.