Featured
Ja dallaveret e Ministrisë së Arsimit, që paguante punë të pakryera në ndërtim shkollash
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/masht.jpg)
Gjithmonë ka ekzistuar një dogmë që paguhen punë të pakryera, mirëpo kjo gjë tashmë vërtetohet edhe nga raporti i auditimit në Ministrinë e Arsimit, nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Te projekti “Ndërtimi i Shkollës Fillore në fshatin Braboniq” të Mitrovicës në vlerë 1,179,812€, auditorët kanë identifikuar se ishin paguar pozicione të punëve të caktuara të cilat nuk ishin kryer.
“Ne kemi testuar pagesat 55,000€, 100,000€ dhe 51,512€ që ndërlidhen me këtë projekt, dhe me datën 05.04.2019, së bashku me menaxherin e projektit kemi ekzaminuar projektin dhe kemi vërejtur që pozicionet ishin të pa përfunduara”, thuhet në raportin e auditimit.
Këtu më poshtë po ju shkoqisim pozicionet që s’janë përfunduar, mirëpo janë paguar:
10.1 (furnizim me material si dhe vendosja e pllakave të qeramikës në dysheme dhe muret e kthinave të parapara me projekt, të jenë të klasit të parë, aprovimin e mostrës e bënë organi mbikëqyrës) ku vlera për këtë pozicion është 7,440€ (930m²*8€ m²=7,440€),
14.22 (Furnizim me material dhe montimi i dritares së aluminit me hapje sipas skemës Ë1, profili p100, alumin, dimensionet 350-250cm) ku vlera për këtë pozicion është 800€ (2 copë*400€=800€), 14.25 (Furnizim me material dhe montimi i dritares së aluminit me hapje sipas skemës Ë4, profili p100, alumin, dimensionet 450-250cm) ku vlera për këtë pozicion është 14,300€ (22 copë*650€=14,300€),
15.1 (Furnizim me material dhe punimi i fasadës termo izoluese në pjesën e jashtme me fasadë ku shtresat e aplikuara janë ngjitësit stirocol, grund baza së bashku me stiroporin N4 10cm, ngjitës rrjeta rabit, fasada me granul 2mm e ngjyrosur në kofa, material i klasit të parë) ku vlera për këtë pozicion është 23,265€ (1,875m²*11€ m²=20,625€ dhe 240m²*11=2,640€);
16.3 (Furnizimi me material si dhe vendosja e kabëzave të betonit me trashësi 8 cm në trotuaret, staza të ecjes, parkingje etj. ku përfshihet gërmimi dhe transporti 40cm, ngjeshja, zhavorri 0-6 dhe 0-32 (20+15) cm, ngjeshja me cilindër dhe vendosja e kabëzave sipas projektit) ku vlera për këtë pozicion është 1,400€ (350m²*4€ m²=1,400€),
Pra, të gjitha pozicionet e sipërpërmendura nuk ishin të realizuara deri me datën 05.04.2019 derisa ato ishin paguar në fund të vitit 2018. Vlera e këtyre pozicioneve të pa kryera është 47,205€.
E gjitha kjo ka ndodhur pasi projekt-menaxheri ka nënshkruar raportet që punët janë përfunduar.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)